Skema Kombëtare/ Numër rekord prej 7532 aplikimesh, në vjeshtë çelet thirrja e tretë e IPARD

TIRANË, 22 qershor/ATSH-Maela Marini/ Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca informoi sot se “ne kemi mbyllur Skemën Kombëtare të mbështetjes për fermerët për këtë vit ditën e premte, ku kemi marrë 7532 aplikime, një shifër rekord kjo”.

Krifca informoi se “ka qenë e gjitha një proces i kryer online me zero dokumente. Brenda 10 ditësh ne do të shpallim listën me vijën e buxhetit ku do të shpallim të gjithë aplikantët që janë brenda kësaj vije dhe nevojën që ata kanë për dokumentacion shtesë, që ka të bëjë me çështjen e pronësisë të tokës apo ndonjë sigurim shoqëror që nuk është paguar”.

“Brenda datës 3 korrik kemi këtë detyrim. Fermerët kanë 10 ditë kohë të plotësojnë dokumentacionin e tyre dhe pastaj AZHBR bën verifikimin në terren dhe kryen pagesën”, tha ajo.

Krifca theksoi se “objektivi ynë është që të kemi një përthithje 100% të fondit”. “Kemi më shumë kërkesë në fakt sesa fond kemi në dispozicion. Kemi pasur një prurje shumë të madhe aplikimesh dhe do të lobojmë me qeverinë për të marrë më tepër fonde për këto nevoja të fermerëve”, tha ajo.

Ndërkohë, Krifca tha se “po ecim me programin IPARD, thirrja e dytë”.

“Kemi aktualisht 129 kontrata me 43 milionë euro të angazhuara investime që po kryhen në programin IPARD. Do të çelim një thirrje të tretë brenda vjeshtës që të mos djegim asnjë lekë dhe të ecim me ritme shumë të shpejta. Nuk e kemi ndalur punën asnjë ditë, as gjatë pandemisë. Kemi transferuar online operacionet e AZHBR-së”, tha ajo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.