Rikthimi i normalitetit në gjykata në kushtet e pandemisë/ Komisioni i Ligjeve miraton 2 akte normative

TIRANË, 22 qershor/ATSH-A. Fortuzi/ Komisioni i Ligjeve ka miratuar dy aktet normative të propozuara nga Ministria e Drejtësisë për të kthyer normalitetin në gjykata, nën zbatimin rigoroz të normave të sigurisë për mbrojtjen nga COVID-19.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, mesditën e së hënës, duke prezantuar aktet normative nr 21 dhe nr 22, ka bërë të ditur se në thelb të tyre është kthimi në normalitet i punës në gjykata, në respekt të masave specifike për parandalimin e përhapjes së COVID-19, masa që u ngarkohet gjykatave të marrin.

“Dy akte kanë ardhur si propozim i Qeverisë për të shkak të gjendjes së pazakontë që kemi kaluar për shkak të pandemisë COVID-19. Falë masave të menjëhershëm që janë marrë është ulur në maksimum rreziku i përhapjes së COVID-19. Aktet normative u miratuan nga Këshilli i Ministrave dhe vendosin theksin tek masat organizative specifike për të shmangur grumbullimet ne ambientet e gjykatave dhe sallave gjyqësore. Përmes këtyre akteve, tashmë është detyrë e institucioneve të nxjerrin rregulla të posaçme për mbarëvajtjen e punës në sallat gjyqësore, duke respektuar masat e sigurisë”, – tha Gjonaj.

“Gjithashtu, në këtë akt normativ saktësohet, se jo më vonë se pesë ditë të miratohen masat specifike, po ashtu dhe rillogaritja e afateve gjyqësore. Këto janë dy aktet që sjellin në situatën e mëparshme të institucionet e gjykatës e prokurorisë me qëllim që të ketë një zhvillim normal të proceseve gjyqësore”, – tha Gjonaj.

Në fund të diskutimeve, Komisioni Ligjeve miratoi dy Akte Normative, “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19” dhe “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë së shërbimit përmbarimor gjyqësor, ndërmjetësimit dhe administrimit të procedurave të falimentit gjatë kohëzgjatjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”.

/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.