Mbështetje nga AZHBR për fermën e frutikulturës në Mollas/ Hapësira djerrë që u transformua në fitime të ndershme e punësim

TIRANË, 22 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Mollas, Cërrik, në fermën e tre vëllezërve Bullari, ku 250 ha tokë djerrë e ferra, janë mbjellë vit pas viti me lloje të ndryshme të frutikulturës si arrat, bajamet, shega dhe kivi.

Falë edhe mbështetjes financiare nga qeveria përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, ata kanë transformuar në fitime të ndershme e punësim një hapësirë deri dje të braktisur me dekada.

Kryeministri Rama deklaroi se “ajo që sot ka rëndësi është që nuk na mungon buxheti”. “Sot kemi në dispozicion të kombinuar buxhet shteti me buxhetin që Shqipëria merr falë aksesit në programin e mbështetjes europiane, shumën më të madhe që s’ka bërë vaki ndonjëherë në gjithë këto vite”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “paratë nuk mungojnë, por ajo që na ka munguar për disa vite ka qenë një numër kritik njerëzish në bujqësi që të mendojnë në mënyrë vizionare dhe me projekte, jo të thonë jam këtu me këtë trastën me domate e patate, hajde ma merr”.

Rama vlerësoi se “aplikimet e Skemës Kombëtare këtë vit janë shenjë shumë domethënëse jo aq për shumën në raport me gjithë nevojat sa u përket atyre zërave, por sa shumë persona kanë shfrytëzuar aplikimin online”.

“Janë ata llafollogët e Tiranës dhe Facebook-ut që thonë se katunarët nuk dinë të përdorin internet, nuk dinë të përdorin Iphone, apo teknologjinë. Në fakt këtu e vërteta është e kundërta që njerëzit që jetojnë me punën kudo edhe në majë të malit i gjejnë rrugët, mënyrat dhe i përdorin shumë më mirë, se sa ata që në fakt janë katunarët e vërtetë, nëse përdorim fjalën në pezhorativ se katunar jam vetë dhe jam shumë krenar që jam katunar se u bënë shumë qytetarë në Tiranë, më mirë katunarë. Ajo që na duhet është të kemi sa më shumë veprimtari prodhuese me cikël të mbyllur dhe sa më shumë veprimtari përpunuese”, – tha Rama.

Ai theksoi se “faktikisht edhe në agropërpunim kemi rritje të eksporteve, një tjetër e dhënë shumë e rëndësishme e këtij transformimi”.

Drejtoresha e AZHBR-së Frida Krifca theksoi se “pjesa më e madhe nga thirrja kombëtare shkon në agropërpunim”.

Sipërmarrësi i kësaj ferme me cikël të mbyllur tha se në total punëson rreth 150 persona.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.