Foto/ Investimet në infrastrukturë, një tjetër rrugë në Fier del nga harta e zonave problematike

TIRANË, 22 qershor/ATSH/ Një tjetër rrugë del nga harta e zonave problematike në qytetin e Fierit, falë investimeve të bashkisë.

Investimet e bashkisë janë përqendruar aktualisht në lagjen Liri, ku po kryhen ndërhyrje tërësore duke nisur nga rrjeti i kanalizimeve.

Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi u shpreh sot se “ka nisur rikonstruksioni i rrugës “Vangjel Capo”, në lagjen “Liri”.

“Nga rrjeti i KUZ-së deri në vendosjen e të gjithë elementëve urban, ne do të sigurojmë infrastrukturë më të mirë dhe cilësi më të mirë jetese për banorët”, tha ai.

Përveç projektit të qendrës së qytetit dhe rehabilitimit të lumit Gjanicë, në Fier po zbatohen disa investime të tjera për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

Këto segmente do të plotësojnë infrastrukturën e standardizuar të qendrës së qytetit dhe do të lehtësojnë dukshëm qarkullimin e mjeteve.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.