Bulqizë/ Dhuna me bazë gjinore, aktivitet informues me të rinjtë e Shupenzës

TIRANË, 22 qershor /ATSH – I. Vata/ Bashkia e Bulqizës në bashkëpunim me PNUD organizoi një aktivitet informues me të rinjtë e gjimnazit “Rifat Manjani”, në njësinë administrative Shupenzë të Bulqizës.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të ngjarjeve të fundit, ku pati një sensibilizim të fortë të opinionit publik ndaj  dhunës me bazë gjinore, kryesisht dhunës ndaj grave.

Gjatë takimit u dhanë informacionet e nevojshme rreth funksionimit të Mekanizmit të Koordinuar të Referimit të rasteve të dhunës në familje në bashkinë e Bulqizës.

Në fokus të bashkëbisedimit ishte ndërgjegjësimi i të rinjve në përpjekjen  kundër çdo lloj akti të dhunshëm në familje dhe kryesisht ndaj gruas. Në këtë takim morën pjesë nxënës nga gjimnazi “Rifat Manjani”, koordinatorja për menaxhimin e rasteve të dhunës në familje, përfaqësues nga NJVKSH etj.

Gjatë bashkëbisedimit me pjesëmarrësit, një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe rolit të shkollës, si një institucion i rëndësishëm socializues, e cili luan një rol thelbësor në thyerjen e steriotipeve gjinore edhe edukimin gjinor të brezave të rinj.

Ky takim u organizua nga bashkia e Bulqizës dhe u mbështetet nga UNDP Shqipëri, në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara, “Për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave”, financuar nga qeveria e Suedisë dhe që po zbatohet nga UNDP, UN Women dhe UNFPA, në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë. /j.p/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.