Pogradeci i trëndafilave çel sezonin/ Klosi: 500-600 milionë lekë investime në hoteleri, të cilat duhen furnizuar me pushues

TIRANË, 21 qershor /ATSH/ Qyteti i Pogradecit ka çelur sot sezonin turistik, ku ka marrë pjesë edhe ministri i Turizmit, Blendi Klosi dhe Ministri i Sipërmarrjes Eduard Shalsi të cilët zhvilluan dhe një bashkëbisedim me hotelierët e qytetit, mbi rregullat e plazheve, të cilat do të zbatohen në kushtet e pandemise COVID 19.

Klosi bëri një prezantim të gjithë lehtësive fiskale në fushën e turizmit dhe foli mbi nevojën e krijimit të destinacioneve turistike, duke e quajtur rajonin e Korçës, Toskanën e Shqipërisë si dhe nevojën e paketave turistike nga operatorët turistik.

“Në Shqipëri në bazë të kalikulimeve që ne kemi ka mbi 500-600 milionë investime në hoteleri, një punë e jashtëzakonshme, por tani këto investime duhen furnizuar me klientë e për këtë duhet te krijojmë destinacione turiatike dhe paketa turistike” tha Klosi.

Duke bërë një përmbledhje dhe shpjegim të politikave fiskale në drejtim të turizmit Klosi tha: “Në kuadër të reformimit të buxhetit për vitin 2020 dhe duke parë se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të krizës së pandemisë, padyshim që promovimi.i destinacioneve dhe logos së Shqipërisë do të jetë detyra e Ministrisë së Turizmit, por duhet të kemi dhe nje komunitet të turizmit bashkëveprues”.

“Në kuadër të dy paketave që ndërtoi qeveria sektori i turizmit u adresua më shumë se çdo sektor tjetër. Njëkohësisht qeveria ka lehtësuar edhe barrën fiskale për këtë sektor. Një ndihmë është edhe shtyrja e tatimfitimit për vitin 2021”, tha Klosi.

Më herët kryebashkiaku i Pogradecit Ilir Xhakolli i njohu ata me disa nga investimet e kryera së fundmi siç është sheshi i trëndafilave, 10 stola të personalizuar me pjesë nga lirikat e Lasgush Poradecit dhe tregimet e Mitrush Kutelit dhe në qendër të këtij sheshi një shatërvan në formë libri me thënie të dy shkrimtarëve.

Ata u njohën edhe me rehabilitimin e plazheve, hapësirave publike për pushuesit dhe rikthimit të plazheve të vjetra si plazhi i “Huçkave”.

Këtë vit Pogradeci ka zgjedhur që të jetë më i prekshëm për qytetarët jo vetëm me ndryshimet e bëra por edhe plazhet publike, pastërtinë, sportet ujore si stand up paddle, apo shumë aktivitete që do të shoqërojnë sezonin turistik./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.