VIDEO-FOTO/ Lumi i Gashit, mrekullia natyrore mes Alpeve Shqiptare

TIRANE, 20 qershor/ATSH/- Lumi i Gashit, shpallur si zonë e mbrojtur ‘Rezervë Strikte Natyrore” në vitin 1996 dhe prej vitit 2017 pjesë e rrjetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, konsiderohet një mrekulli natyrore.

Me një sipërfaqe prej 3 mijë hektarë, Lumi i Gashit shtrihet në pjesën lindore të Alpeve Shqiptare duke u kufizuar në veri me Malin e Zi dhe në veri-lindje me Kosovën.

Për të vizituar këtë mrekulli natyrore në pellgun e parkut kombëtar të Valbonës në Tropojë, duhet ndjekur rruga automobilistike nga Bajram Curri në fshatrat Dragobi,  Qerem, Markovce, Rorkuz  dhe Doberdol, ndërsa nga këtu ndiqet rruga këmbësore drejt Lumi të Gashit, rrugë e cila zgjat 45 minuta. Gjithashtu një tjetër shteg në rrugë këmbësore që të con në Lumin e Gashit është Tropojë e vjetër duke kaluar përmes zonave, Degaj, Kanali i Gashit, Brodoshnicë, Qafa e Livadhit, Kusheticë dhe Doberdol.

Pjesa më e madhe e sipërfaqes së Lumit të Gashit është thuajse tërësisht e mbuluar me pyje të virgjëra ahu dhe pjesa tjetër me pyje halorë si Pinus heldreichii, Abies Alba   Pinus sylvestris, Pinus peuce. Rrjedha e pandalshme e shumëvjeçare e ujit të këtij lumi e ka ndihmuar botën e gjallë të lulëzojë dhe të marrë jetë nga ai. Llojet më të përhapura ndër to janë Ranunculus platanifolius, Cardamine enneaphyllos, Actaea spicata, Geum coccineum, Cephalantera rubra, Digitalis grandiflora, Viola aethiolica, Viola tricolor. Përveç kësaj, këtu gjenden edhe specie bimore të listuara në librin e kuq që ja rrisin vlerat zonës si; Atropa Belladonna, Lilium albanicum, Convallaria majalis dhe Lunaria telekiana kjo e fundit bimë endemike. L. telekiana është një specie shumë e rrallë dhe e rrezikuar e cila rrit vlerat e biodiversitetit në pjesën e Lumit të Gashit.

Përsa i përket faunës kjo zonë krijon kushte shumë të favorshme për rritjen dhe përhapjen e shumë llojeve të kafshëve dhe shpendëve.

Llojet kryesore të kafshëve që gjenden në këtë zonë të rrallë natyrore janë, ariu i murrmë (Arsus arctos), dhia e egër (Rupicapra rupicapra), kaprolli (Capreolus capreolus) macja  e egër (Felis silvestris), ujku (Canis lupus), derri i egër, lepuri, dhelpra. Kurse shpendë mund të permendim; gjeli i egër (Tetrea urogallus), shqipja e ballkanit (Circus pygargus), zhgaba (Gyps fulvus), thëllëza e malit, (Alectoris graeca) etj.

Shqipëria është një vend i bekuar me bukuri natyrore të larmishme dhe mjaft të veçanta, mes të cilëve edhe kjo zonë e cila vit pas viti ka tërhequr turistë të shumtë vendas edhe të huaj.

Për turistët e shumtë që vizitojnë Valbonën ka terrene dhe atraksione të reja ende për t’u eksploruar. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.