Opinioni i Venecias për Kushtetuesen/ Balla: Të mos lexohet me eufori si tifoza, qëllimi i vetëm zbatimi i shpejt i reformave

TIRANË, 20 qershor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “Venecia mbështet ecurinë e Reformës në Drejtësi si dhe nevojën e një ligji që rregullon tregun e medieve elektronike në Shqipëri”.

Në një konferencë për shtyp, Balla shprehu angazhimin e autoriteteve për miratim të ndryshimeve ligjore në përputhje me rekomandimet.

Komisioni i Venecias “miratoi dje dy opinione, atë mbi emërimet e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe mbi draft-ligjin e mediave. Këto opinione i shërbejnë ecurisë së mëtejshme të Reformës në Drejtësi, si dhe nevojës imediate për të rregulluar një sektor të rëndësishëm të demokracisë në vend, siç është ai i media”.

“Opinionet duhen lexuar e analizuar me vëmendje, pa euforinë si tifoza të ndonjë ekipi të kategorisë së tretë dhe me qëllimin e vetëm që t’i shërbejë zbatimit të shpejtë të reformave në vend, reforma të shumëpritura nga shqiptarët. Nuk është detyrë e Komisionit të Venecias të analizoj sjelljen e palëve në raport me zbatimin e ligjit por e autoriteteve kompetente shqiptare. Është detyra jonë si ligjvënës që opinionet të mos i lexojmë me disa fjali të shkëputura, por në tërësinë e tyre. Parlamenti si përfaqësues i sovranitetit të popullit ka përgjegjësi që jo vetëm të zbërthejë çdo rekomandim të opinioneve, por edhe të adresojë hapat e duhur për zbatimin e tyre”, tha Balla.

Si i tillë, ai theksoi se “ky proces nuk mund të jetë një proces ekzaltimi që minimizohet vetëm në “kush ka të drejte” por vetë publiku do të mund ti lexojë e të na gjykojë'”.

“Kush nuk e kupton këtë dhe e sheh Venecian me “kush fiton”, nuk ka shqetësim as demokracinë, as ligjin dhe as standardet. As kjo qasje, as përkthimet e gabuara e të servirura në media sipas interesit nuk i shërbejnë reformës në drejtësi”, tha ai.

Balla tha se “Komisioni i Venecias konstatoi faktorët që sollën bllokimin e funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese dhe vonesat në emërimet e reja në këtë Gjykatë.

Lidhur me radhën e emërimeve në Gjykatë Kushtetuese nga Presidenti, Parlamenti dhe Gjykata e Lartë, Balla tha se Komisioni i Venecias “rekomandon që radha për emërimet në Gjykatë Kushtetuese nga Presidenti, Parlamenti dhe Gjykata e Lartë i referohet alokimit të vendeve vakante dhe jo radhës së vendimeve aktuale të emërimit të gjyqtarëve”.

“Tre autoritetet janë të pavarura dhe mund të veprojnë në mënyrë autonome në emërimet përkatëse. Mungesa e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Gjykata e Lartë nuk pengon Kuvendin dhe Presidentin të zgjedhin/emërojnë anëtarët përkatës të Gjykatës Kushtetuese. Mekanizmi zhbllokues për emërimet nga Presidenti dhe Gjykata e Lartë, i parashikuar në Ligjin e Gjykatës Kushtetuese duket se ka ndikuar në krijimin e një konflikti. Ndërsa ky mekanizëm është në fuqi dhe detyrues, rekomandohet të vihet në tekstin e Kushtetutës, siç është për Kuvendin”, tha Balla.

Sipas Komisionit të Venecias, bllokimet e qëllimshme dhe me vullnet të keq mund të konsiderohen si pezullime të paarsyeshme të afatit të një mekanizmi zhbllokues”, gjithsesi një parashikim i tillë nuk gjendet në ligj”.

Po ashtu, Balla tha se “Komisioni i Venecias rekomandon ndryshime të Kushtetutës për ta qartësuar dhe lehtësuar procedurën e emërimit të gjyqtarëve kushtetues si dhe garantimin e mandatit të plotë 9-vjeçar për secilin prej tyre”.

I pyetur lidhur me komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit, Balla tha se “shkarkimi i Presidentit të Republikës nuk ka qenë qëllim në vetvete”. “Komisioni hetimor parlamentar po vijon punën, afati i tij skadon në 30 korrik. Mëkati i Presidentit lidhet me aktin joligjor të dekretit apo zhdekretimit të datës së zgjedhjeve në 30 qershor. Shkarkimi i Presidentit kërkon dhe certifikim nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ndaj ajo që është e rëndësishme për ne është një Gjykatë Kushtetuese funksionale se sa shkarkimi i Presidentit si qëllim në vetvete”, tha ai. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.