GJENEVË – OBSH: Me lehtësimin e kufizimeve bota ka hyrë në një “fazë të rrezikshme”

GJENEVË, 20 qershor /ATSH-AFP/ – Bota ka hyrë në një “fazë të rrezikshme” për faktin e rihapjes së vendeve që kishin vendosur masa kufizuese dhe shtrëngime në lëvizje, paralajmëroi OBSH.

“Bota ka hyrë në një fazë të re dhe të rrezikshme. Shumë njerëz janë lodhur nga qëndrimi në shtëpi. Vendet janë të prirura të rihapin shoqëritë dhe ekonomitë e tyre”, deklaroi kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë virtuale shtypi.

“Por, virusi vazhdon të përhapet me shpejtësi, ai mbetet fatal dhe shumica e personave mbeten të ekspozuar”, shtoi ai duke theksuar se OBSH kishte regjistruar më shumë se 150 000 raste të reja në një ditë, një rekord që prej fillimit të epidemisë.

Rreth gjysma e këtyre rasteve janë regjistruar në kontinentin amerikan dhe pandemia po progreson gjithashtu në Azinë Jugore dhe Lindjen e Mesme.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve dhe të gjithë personave të ruajnë një vigjilencë ekstreme. Vazhdoni të ruani distancën, të qëndroni në shtëpi nëse ndjeheni të sëmurë, vazhoni të mbuloni hundën dhe gojën kur teshtini, mbani maska dhe vazhdoni të lani duart”, nënvizoi Tedros.

Drejtori për çështjet e urgjencës shëndetësore, Michael Ryan theksoi se dalja nga kufizimet duhet të jetë graduale./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.