COVID-19/Ministria e Shëndetësisë apelon: Evitoni vizitat tek të moshuarit dhe të afërmit

TIRANË, 20 qershor/ATSH/Rritja e numrit të të prekurve me koronavirus ditët e fundit ka bërë që ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të ripërsërisë thirrjen për kujdes duke i kërkuar qytetareve të evitojnë vizitat tek miqtë apo të afërmit.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë, e vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri-tjetri si dhe duke ruajtur higjienën personale.

“Parandaloni përhapjen e COVID-19 .Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën apel të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të respektojnë rregullat, evitoni vizitat tek të moshuarit dhe të afërmit.
E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, mbani maskat kudo ku ambienti është i mbyllur, bizneset dhe institucionet të respektojnë protokollet e përcaktuara.Çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetëizolohet.

Të sëmurët kronikë dhe të moshuarit janë dy kategori ku COVID-i zhvillon forma të rënda të tij, çka vë në rrezik edhe jetën në shumicën e rasteve.

Ditët e fundit, numri i të infektuarve ka variuar në shifrat 82, 69, 66, 50 çka ka sjellë edhe shqetësimin e bluzave të bardha të cilët kanë apeluar përmes medieve të ndryshme, respektimin rigoroz të rregullave të miratuara më herët nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si distancimi fizik apo përdorimi i maskave veçanërisht në ambiente të mbyllura.  z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.