“Sot fshatrat e braktisur të jugut po jetësohen”/ Rama: 6 vite më parë në Vlorë hyje “fshehurazi”

TIRANË, 19 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot te investimet që janë bërë në Vlorë, siç është rruga hyrëse për në qytet, ndërkohë që sipas tij vetëm 6 vite më parë në Vlorë hyje “fshehurazi”.

“U them të gjithë qytetarëve të qarkut të Vlorës, nga Vlora deri në Sarandë dhe qytetarëve të gjithë Shqipërisë se ka shumë ende për të bërë për Vlorën, bregdetin jonian e Sarandën, por mjafton të kthejmë kokën pas për të kuptuar se ndërkohë që sot po flasim për vepra të ndërlikuara nga pikëpamja inxhinierike dhe financiare, deri dje para 6 vjetësh në Vlorë hyje fshehurazi”, tha Rama.

Vlora, një qytet portë hyrëse në Shqipëri ku kanë hyrë e dalë figura të historisë, duke filluar nga Jul Çezari, sipas Ramës, “ishte një qytet ku hyje fshehurazi në një kthesë ku realisht futeshe në psikozën e legalitetit”.

“Duhet të kapërceje gropa dhe pastaj të merrje frymë i lehtësuar se dole gjallë kur shikoje drita”, tha ai.

Rama tha se “sot në Vlorë jemi në një situatë krejt tjetër”. “Vlora sot është një zonë atraksioni shumë më i madh. Sot fshatrat e braktisur të jugut po jetësohen dhe shumë shpejt do të jenë resorte të mirëfillta të një turizmi të nivelit të lartë, si rezultat i transformimit dhe bukurisë e hijeshisë që i është kthyer”, tha Rama.

Gjithë ky korridor që po ndërtohet hap pas hapi, sipas tij, do të bëjë që shumë turistë, në radhë të parë ata nga Kosova që u kanë vënë bijave të tyre emrin Vlora, ta kenë shumë më të lehtë të vijnë në Vlorë.

“Ata duhet të  mendojnë se përveç bregdetit të Adriatikut është edhe destinacioni i bregdetit të Jonit. Në kushtet e një infrastrukture si kjo që kemi trashëguar duhen dy ditë të bësh rrugën nga Kosova në Vlorë dhe dhe dy ditë për të marrë veten. Kthehesh nga pushimet dhe duket sikur ke dalë nga një ring boksi”, tha Rama. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.