Shahini me përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve: Mbi 10 mijë maturantë përgjigje të saktë për pyetjet “problematike”

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve mbi provimin e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë.

Gjatë takimit, nxënësit përcollën në detaje para ministres të gjitha shqetësimet e maturantëve për provimin e maturës, por gjithashtu i shprehën asaj keqardhjen e tyre për ato pjesë të degraduara të protestës para ministrisë, që nuk përfaqësonin nxënësit tanë.

Lidhur me pyetjet e shumëpërfolura si ajo me “Turin” apo mbi kuptimin e fjalës “dlirnja” të Poradecit, rezultatet sipas ministres treguan se mbi 10 mijë maturantë kishin gjetur përgjigjen e saktë tek secila. “Kjo do të thotë qartë se këto pyetje nuk kanë qenë me probleme, pasi siç na informon edhe QSHA, të tilla konsiderohen pyetjet me nën 10% përgjigje të sakta”, u shpreh ajo.

Në takim, Shahini ka siguruar edhe një herë përfaqësuesit e Parlamentit të Nxënësve që me analizën përfundimtare të rezultateve, QSHA do të bëjë rishpërndarjen e pikëve nëse rezulton se testi ka patur vështirësi më të madhe se sa njohuritë e nxënësve.

z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.