Miratohet projekti i ujësjellësit për Mollasin, furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për 5 738 banorë

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Rreth 5738 banorë të njësisë administrative Mollas, në bashkinë e Cërrikut do të kenë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm.

Këshilli Teknik i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve shqyrtoi dhe miratoi ndërtimin e ujësjellësit për njësinë administrative Mollas, bashkia Cërrik, për t’i hapur rrugë nisjes së investimit të këtij ujësjellësi nga qeveria qendrore.

Investimi për këtë projekt synon ndërtimin e sistemit tërësor: 24 orë ujë të pijshëm e me cilësi për 5738 banorë, rritjen e sasisë dhe presionit të ujit 150 litra/frymë, ndërtimin e rrjetit të jashtëm dhe rrjetit të brendshëm, instalimin e 1150 ujëmatësëve inteligjentë për konsumatorët dhe sistem SCADA.

Banorët përfitues të Linas, Kamunah, Mollas e Dasar prej vitesh përballen me mungesën e rrjetit të ujësjellësit, duke siguruar ujë me zgjidhje individuale.

Investimet e qeverisë qendrore në infrastrukturën e ujësjellësve synojnë modernizimin e tij, për të garantuar parametra e standarde bashkëkohore duke përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve , si dhe ndikuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.