Merr formë kompleksi sportiv në Shishtavec, Gjici: Kushte atraktive për turizmin

TIRANË, 19 qershor/ATSH – I. Vata/ Bashkia Kukës ka nisur punën për ndërtimin e  kompleksit sportiv në njësinë administrative Shishtavec.

Kryetari i bashkisë Kukës Safet Gjici inspektoi nga afër terrenin sportiv në Shishtavec, i cili falë bashkëpunimit të komunitetit dhe Bashkisë, po merr formë.

“Gjithashtu ne fshatin e bukur turistik po merr jetë dhe qendra e informacionit ku do kthehet në një kompleks modern për të promovuar vlerat e kësaj zone. Shumë shpejt do shpaloset projekti për këtë kompleks turistik”, tha ai.

Gjici tha që Shishtaveci është zona më e bukur në veri ndaj duhet të mbahet pastër dhe turistëve duhet t’u krijohen mundësi edhe të zbaviten.

“Kemi ardhur me të gjitha forcat për të bërë një pastrim te territorit. Duhet patjetër të marrim masat t’i krijojmë kushte turizmit. Promovimi i turizmit të bëhet në formë digjitale, që turistëve t’i dalin të gjithë të dhënat, bujtinat dhe bukuritë natyrore”, tha ai.

Kompleksi Shishtavec do shtrohet me tapet si dhe do rrethohet me rrjetë, ku do ketë fushë volejbolli dhe basketbolli. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.