Konferenca ndërqeveritare për negociatat, KE: Nuk janë 15 kushte

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Komisioni Europian sqaroi sot prioritetet e vendosura për Shqipërinë përpara mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Ana Pisonero, zëdhënësja e Komisionit Europian për Partneritet Ndërkombëtar, Fqinjësi dhe Zgjerim, në përgjigje të pyetjes së drejtuar nga korrespondenti i Euronews Albania, Ernest Bunguri, listoi detyrat që duhen kryer përpara konferencës.

“Përfundimet e Këshillit të marsit kanë përcaktuar qartë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria para konferencës së parë ndërqeveritare. Kjo lidhet me: miratimin e reformës zgjedhore; garantimi i financimit transparent të partive politike dhe fushatave zgjedhore; garantimi i vijimit të zbatimit të reformës në drejtësi”, u shpreh Pisonero.

“Shqipëria duhet gjithashtu të përforcojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto nuk janë 15 kushte”, thuhet në deklaratën e dërguar nga zëdhënësja e KE.

“Përballja me fenomenin e aplikimeve të pabaza për azil, garantimi i riatdhesimit të tyre, si dhe ndryshimi i ligjit të medias sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, ishin gjithashtu përparësi të rëndësishme”, thuhet në reagimin e Komisionit për pjesën e parakushteve për konferencën e parë ndërqeveritare.

Ndërsa pjesa e tjetër e kërkesave lidhet me kuadrin negociues dhe nga vendi kërkohet që ato të plotësohen gjatë procesit të negociatave.

“Për më tej, përfundimet e Këshillit parashikojnë se Kuadri Negociues do të reflektojë një numër çështjesh që Shqipëria do të vijojë t’i adresojë në periudhën e ardhshme, dhe si pjesë e procesit të negociatave. Puna në këto fusha po vijon për momentin. Komisioni do të vijojë të monitorojë përparimin e vendit në të gjitha fushat dhe të mbështesë përpjekjet vijuese të Shqipërisë”, përfundon sqarimi i Komisionit. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.