Intensifikohen kontrollet për zbatimin e masave antiCovid/ 1820 inspektime në 24 orë

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Inspektorati Shtetëror Shëndetësor po vijon intensivisht kontrollet dhe monitorimin në terren, ku vetëm në 24 orët e fundit janë kryer 1820 inspektime në të gjitha qarqet e vendit.

Nga këto inspektime janë marrë 6 masa administrative me gjobë në markete, bar kafe, furra buke, klinika dentare, parukeri etj, në subjektet të cilat janë gjetur në shkelje te protokollit te sigurisë për mbrojtjen ndaj COVID19 të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Nga inspektimi në terren janë marrë 2 masa administrative në qarkun e Tiranës, 3 masa administrative në qarkun Durrës dhe 1 masë administrative në Fier.

Inspektorët shëndetësorë po vijojnë punën në terren me zero tolerancë ndaj çdo subjekti dhe gjatë kësaj periudhe të epidemisë që prej muajit Marsi, janë inspektuar dhe monitoruar mbi 76 mijë subjekte në të gjithë vendin dhe janë vendosur mbi 300 masa administrative.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bëri apel të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të respektojnë rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht. “Mbani maskat kudo ku ambienti është i mbyllur, bizneset dhe institucionet të respektojnë protokollet e përcaktuara”, shprehen autoritetet e shëndetësisë. z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.