FOKUS – 9,6 milionë gjermanë shkarkojnë aplikacionin gjurmues COVID-19

BERLIN, 19 qershor /ATSH-DPA/ – Rreth 9,6 milionë gjermanë kanë shkarkuar aplikacionin gjurmues COVID-19, deklaroi instituti ”Robert Koch” (RKI).

Aplikacioni u vu në dispozicion për shkarkim në fillim të kësaj jave, mbi baza vullnetare.

Ai synon të lehtësojë monitorimin e zinxhirëve të rinj të infeksionit të koronavirusit pasi Gjermania lehtësoi kufizimet.

Deri më tani, numri i shkarkimeve arrin në rreth 11,5 % të popullsisë gjermane prej rreth 83 milionë banorësh.

Disa kritikë kanë argumentuar se aplikacioni do të jetë efektiv vetëm nëse shumica e njerëzve në vend e përdorin atë.

“Çdo përdorues i ri e bën aplikacionin më të dobishëm, kështu që është e rëndësishme që sa më shumë njerëz të marrin pjesë”, shkroi RKI në Twitter.

Vende si Kina dhe Koreja e Jugut tashmë kanë zhvilluar dhe lëshuar aplikacione për përcjelljen e koronavirusit në fillim të këtij viti.  /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.