Dekorata “Nënë Tereza” për themeluesin dhe drejtuesin e spitalit të Beratit, Hajdar Sulo

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot themeluesin dhe drejtuesin e parë të Spitalit të Beratit, doktorin epidemiolog Hajdar Sulo (pas vdekjes) me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza” me motivacionin: “Për kontributin e vyer në fushën e mjekësisë, humanizmin dhe veprimtarinë e tij në çështjen kombëtare. Epidemiolog i shquar, themelues dhe drejtor i parë i spitalit të Beratit, i cili me pasionin dhe përkushtimin e një atdhetari të palëkundur, vuri një gur të rëndësishëm themeli në shërbim të shëndetit publik shqiptar”.

Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast në Institucionin e Presidentit, ishin të pranishëm familjarë e të afërm të doktor Sulos, mjekë dhe personalitete.

Në fjalën e tij përshëndetëse Kreu i Shtetit u shpreh se “ky vit shënon 100-vjetorin e themelimit të spitalit rajonal të Beratit, ku doktor Hajdar Sulo ishte themeluesi dhe drejtori i parë i tij”.

“Ngritja e këtij spitali u projektua nga qeveria shqiptare e dalë nga Kongresi i Lushnjës dhe ishte një nga treguesit e përpjekjeve të para dhe të vazhdueshme për të konsoliduar Pavarësinë e vendit dhe për të forcuar shtetin shqiptar.

Në atë situatë, hedhja e themeleve të institucioneve të shëndetit publik për popullin shqiptar, mbetej një nga përparësitë e qeverisë dhe ajo kishte nevojë për personalitete të kësaj fushe, për të ndihmuar në ngritjen e këtyre institucioneve, për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve”, tha ai.

“Një prej këtyre figurave të shquara i cili, i shtyrë nga patriotizmi, nuk ngurroi të kthehej në atdhe, pas përfundimit shkëlqyeshëm të studimeve për mjekësi në Stamboll dhe në Francë, ishte edhe doktor Hajdar Sulo”, tha Meta.

“Përkushtimi i tij në shërbim të qytetarëve të Beratit, por edhe të Fierit, Lushnjës, Mallakastrës e krahinave të tjera vazhdoi gjatë gjithë jetës së tij. Për 44 vite, doktor Hajdar Sulo u shërbeu me dashuri dhe profesionalizëm pacientëve, të cilët e dalluan qartë shpirtin e tij human”, u shpreh Meta.

“Atdhedashuria dhe patriotizmi ishin elementë të dalluar të personalitetit të tij, që e dëshmoi me kontributin e madh të dhënë si veprimtar patriot, veçanërisht me mbështetjen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkëpunimin me qeverinë e Ismail Qemalit. Edhe pse u dënua dy herë me vdekje nga pushtuesit, nuk rreshti asnjë çast punën dhe përpjekjet për t’u vënë në shërbim të Atdheut”, theksoi Meta.

“Në këtë 100-vjetor të themelimit të spitalit të Beratit, ne nderojmë dhe kujtojmë me respekt doktor Hajdar Sulon, themeluesin dhe drejtorin e parë të tij, me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza”. Ashtu si Shenjtorja jonë e madhe u vu në shërbim të të varfërve dhe të sëmurëve në të gjithë botën, edhe Doktor Hajdar Sulo gjatë gjithë jetës së tij ndoqi të njëjtin shembull humanizmi”, u shpreh Meta. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.