COVID-19/ Policia e Durrësit dhe Beratit apel qytetarëve për zbatimin e masa, penalizime për 53 drejtues mjetesh

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Policia e Durrësit dhe Beratiti vijojnë kontrollet me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, për ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që nuk respektojnë protokollin e sigurisë.

“Gjatë 24 orëve të fundit policia rrugore e Durrësit ka kontrolluar 260 mjete dhe janë ndëshkuar me masë administrative 53 drejtues mjetesh”, bën të ditur Policia e Shtetit.

Në vijim të planit të masave të hartuar për parandalimin e përhapjes së COVID-19, shërbimet e Policisë Rrugore kanë ushtruar kontrolle të shumta ndaj mjeteve të ndryshme, kryesisht ndaj mjeteve që transportojnë punëtorët e fasonerive, të cilët nuk respektojnë nenin 3 të Aktit Normativ datë 15.03.2020, për ruajtjen e distancës fizike.

Në zbatim të këtij plani janë ndëshkuar me masë administrative 53 drejtues mjetesh, për mosrespektim të protokollit të sigurisë.

Policia e Durrësit kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve që të respektojnë kufizimet me përgjegjshmëri, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, Neritan Nallbati, së bashku me drejtues të tjerë të policisë, ka inspektuar në terren zbatimin e protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Gjatë inspektimit, drejtor Nallbati, ka apeluar për qytetarët, për respektim me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, me qëllim mbrojtjen nga infektimi me COVID-19.

“Mos qëndroni grumbull në ambientet e brendshme të lokaleve, bareve, restoranteve, qendrave tregtare apo marketeve dhe mos pranoi shërbim klienti nga persona që nuk kanë vendosur maska mbrojtëse dhe dorezat. Shmangni grumbullimet në ambiente publike, pasi janë në kundërshtim me protokollet e sigurisë dhe janë rrezik potencial për t’u infektuar dhe përhapur COVID-19”, tha drejtori Nalbati./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.