BRUKSEL – BE: Bjellorusia të lirojë sfiduesin kryesor të Lukashenkos për presidencialet

BRUKSEL, 19 qershor /ATSH-DPA/ – Bashkimi Europian kërkoi që Bjellorusia të lirojë nga burgu kundërshtarin kryesor të presidentit Alexander Lukashenko, ndërkohë që vendi po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Lukashenko, i cili ka udhëhequr ish-republikën sovjetike në Europën Lindore për më shumë se çerek shekulli, po kërkon një mandat të gjashtë në zgjedhjet e gushtit.

Një ish-bankier i pasur, Viktor Babariko, ka dalë si sfiduesi kryesor kundër Lukashenkos.

Babariko dhe djali i tij, i cili menaxhon fushatën, u arrestuan këtë javë të dyshuar për korrupsion.

“BE i bën thirrje autoriteteve bjelloruse që t’i lirojnë menjëherë nga paraburgimi dhe të garantojnë respektimin e plotë të shtetit të së drejtës”, deklaroi zëdhënësi i politikës së jashtme të BE-së, Peter Stano./ /sara/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.