Pas 30 vitesh pa ndërhyrje, do të rehabilitohet qendra e Kamzës

TIRANË, 18 qershor/ATSH – I. Vata/ Bashkia e Kamzës pritet të nisë punën për të rehabilituar qendrën e qytetit, e lënë në harresë për 30 vite, me pedonale, ndërtim të lulishteve, tregut dhe rikonstruksion të fasadave të pallateve.

Kryetari i bashkisë Kamëz, Rakip Suli publikon pamje të Kamzës tani dhe si do jetë pas ndërhyrjes për rehabilitimin e qendrës.

“Në fotot e mëposhtme tregohet qartazi gjendja e mjerueshme e qendrës së Kamzës për kaq vite radhazi! Por sot, pas 30 vitesh, falë mbështetjes së qeverisë brenda 10 ditëve fillon puna për rehabilitimin e qendrës së Kamzës”, tha ai.

Po ashtu, Suli shtoi se “ky proces do të përfshijë një sërë punimesh, ndër të cilat: rrjeti i kanalizimeve, ndërtimi i pedonales, ndërtimi i lulishtes, ndërtimi i tregut, rikonstruksioni i fasadave të pallateve etj”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.