Masat ndaj COVID-19/ Intensifikohen kontrollet në disa qarqe: Gjobë kush nuk respekton masat e sigurisë

TIRANË, 18 qershor/ATSH-A. Fortuzi/ Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet e saj, ndërsa bën thirrje për zbatimin e masave të sigurisë për të minimizuar përhapjen e COVID-19.

Drejtori i Policisë Vendore të Dibrës, Skënder Kalemi, ashtu si dhe drejtori i Policisë Vendore të Durrësit, Lorenc Shehu, kanë kërkuar nga qytetarët të respektojnë distancimin fizik dhe masat e tjera që shmangin përhapjen e COVID-19.

Gjatë inspektimit, Kalemi u ka bërë apel qytetarëve të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë, me qëllim mbrojtjen nga infektimi me COVID-19.

“Të nderuar qytetarë, duke marrë shkas nga numri në rritje i personave të infektuar nga virusi COVID-19, kërkojmë bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe kontributin tuaj për parandalimin e përhapjes së këtij infeksioni. Respektoni protokollet e sigurisë, për të mos rrezikuar shëndetin e tuaj dhe të të tjerëve, distancimin social, bëni kujdes në ceremonitë festive dhe ato mortore, duke mos u grumbulluar në mënyrë masive”, – shprehet Kalemi.

“Mos qëndroni grumbull në ambientet e brendshme të lokaleve, bareve, restoranteve, qendrave tregtare apo marketeve dhe mos pranoi shërbim klienti nga persona që nuk kanë vendosur maska mbrojtëse dhe dorezat. Shmangni grumbullimet në ambiente publike, pasi janë në kundërshtim me protokollet e sigurisë dhe janë rrezik potencial për t’u infektuar dhe përhapur COVID-19”, – vijon ai.

“Cilido që është i infektuar me COVID-19, të respektojë në mënyrë rigoroze vetëkarantinimin, pasi Policia disponon të gjitha listat e përditësuara me emrat e personave të infektuar dhe do vijojë ushtrimin e kontrolleve të pandërprera për monitorimin e kësaj kategorie, duke marrë masa për cilindo që shkel këtë rregull, sipas sanksioneve ligjore në fuqi. Të nderuar qytetarë, Drejtoria Vendore e Policisë Dibër ju falënderon për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj, për ta kaluar së bashku këtë situatë të vështirë”, – thekson Kalemi.

Gjatë inspektimit, drejtori i Policisë së Durrësit, Lorenc Shehu ka përsëritur apelin për respektim me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, me qëllim mbrojtjen nga infektimi me COVID-19. “Policia e Durrësit ka intensifikuar maksimalisht masat për monitorimin e zbatimit të masave për pandeminë COVID-19. Vëmendja është vendosur në disa drejtime, në radhë të parë me të infektuarit, që duhet të vetëkarantinohen. Ne i ndjekim hap pas hapi  këto shtetas dhe kush nuk zbaton vetëkarantinimin ndiqet sipas kodit penal”, – tha Shehu.

“Gjatë ditës së djeshme janë realizuar inspektime, ku janë vendosur gjoba e masa administrative ndaj subjekteve që nuk kanë respektuar masat e sigurisë. Duke marrë shkas nga numri në rritje i personave të infektuar nga virusi COVID-19, kërkojmë bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe kontributin tuaj për parandalimin e përhapjes së këtij infeksioni”, – tha Shehu.

Ai kërkoi eliminimin e grumbullimeve si sa i takon rasteve të gëzimit, ashtu dhe për ceremoni mortore. Sipas Shehut, do ketë masa administrative sipas Kodit Penal”, – tha Shehu. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.