JAPONI – Ish-ministri i Drejtësisë arrestohet me dyshimin për blerje votash

TOKIO, 18 qershor /ATSH-DPA/ – Prokurorët japonezë arrestuan ish-ministrin e Drejtësisë, Katsuyuki Kawai dhe bashkëshorten e tij deputete, Anri, me dyshimin se u jepnin para politikanëve dhe përkrahësve gjatë fushatës së saj elektorale për zgjedhjet e vitit të kaluar, transmeton NHK.

Ky është veprimi më i fundit në një seri skandalesh në qeverinë e kryeministrit Shinzo Abe.

Çifti dyshohet se bleu vota në garën për Dhomën e Këshilltarëve, në korrik të vitit të kaluar, duke shkelur ligjin e zgjedhjeve.

Më pas, Anri Kawai fitoi një vend në Dhomën e Lartë të parlamentit.

”Hetuesit kanë zbuluar se Katsuyuki Kawai dyshohet se ka dhënë rreth 24 milionë jen në dorë dhe bashkëshortja e tij rreth 1,5 milionë jen për rreth 100 persona, në prefekturën perëndimore të Hiroshimas për fushatën e saj”, njoftoi agjencia japoneze e lajmeve,  Kyodo./ /sara/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.