Hajdari mbështeti Reformën në Drejtësi pavarësisht shkarkimit të nënës/ Braçe: Dëshmoi forcë, qëndrim parimor

TIRANË, 18 qershor /ATSH – I. Vata/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka vlerësuar qëndrimin e deputetes Rudina Hajdari në Kuvend në lidhje me shkarkimin e nënës së saj gjyqtare, Fatmira Hajdari nga Vetingu, duke e konsideruar parimor.

Braçe tha se “unë nuk jam mik me Rudina Hajdarin. Kur me babain e saj të ndjerë ndanim Kuvendin ajo ishte e vogël. Kur ai nuk ishte më, unë vijova në Kuvend, ajo ndiqte rrugën e saj të edukimit dhe jetës në SHBA”.

“Ndajmë ideologji të ndryshme, nuk mendojmë njësoj, jemi kundërshtarë për këtë. Por sot njoha një anë të fortë të saj. Të qenit parimore, përtej interesit të çastit, personal, familjar. Nuk është e thjeshtë të mbash një qëndrim të tillë. Ndaj nuk e keni parë kurrë deri tani në kuvend. Një njeri i fortë që beson në parime mundet të bëj këtë. E çmoj Rudinën për këtë. Kur për kaq muaj rresht nën sulme personale që ta shpifnin, nuk besova se do rezistonte, do qëndronte, edhe si grua natyrisht”, u shpreh Braçe.

“Por, ja që sot dëshmoi forcën e saj. Mposhti gjithë llumin burrëror që e luftoi personalisht, në pikën e dobët, nënën. I mundi përsëri. Është drejtësia që të bën të fortë. Drejtësia frymëzon. Drejtësia e re e barabartë, funksionale, efikase, e pavarur, e pastër, është me shume se çdo gjë, është ngjitëse me besoni. Prej themelimit të shtetit shqiptar, çdo regjim bëri drejtësinë politike e të korruptuar të udhëheqësit, kurrë drejtësinë e barabartë për të gjithë. Tani është koha për drejtësinë e re. 100 vite shkuan pa të. Ky është shansi unik i 100 viteve ku kemi hyrë”, theksoi Braçe.

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit, deputetja Rudina Hajdari deklaroi se “dita e sotme ka filluar me një lajm për familjen time dhe padyshim shumë njerëz jashtë kësaj salle që më janë hedhur si ujqër se unë ndenja në Kuvend për të mbrojtur time më, sot e morën përgjigjen”.

“Unë besoj te Reforma në Drejtësi, dhe nëse e them këtë për time më, e them këtë për çdo gjyqtar dhe prokuror dhe do ta mbështes këtë reformë deri në fund, sepse shkon përtej interesave të familjes time”, u shpreh Hajdari sot në Kuvend. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.