Çela: 59 888 materiale kallëzimi janë trajtuar gjatë 2019, 3,73 % më shumë se në 2018

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Kryeprokurori Olsian Çela gjatë prezantimit sot në Kuvend të raportit vjetor 2019, të institucionit që ai drejton tha se, “gjatë vitit të kaluar, organi  i  prokurorisë në hetimet paraprake ka trajtuar 59 888 materiale kallëzimi, me një rritje prej 3,73 % në krahasim me vitin 2018”.

“Janë ndjekur gjithsej 44289 procedime penale, nga të cilat 30 748 janë procedime të regjistruara, me një ulje prej 2,1 % në krahasim me 2018.  Janë mbartur nga një vit më parë 12957 procedime penale, me një rritje prej 18,66 % krahasuar me procedimet e mbartura nga viti 2017. Është vendosur mos fillimi i procedimit për 15599 referime dhe kallëzime penale, me një rritje në krahasim me 2018”- tha Çela.

Sipas tij, përqindjen më të ulët të kriminalitetit edhe këtë vit e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë. Sa i përket tendencës, vërehet se rritjen më të lartë e ka qarku Gjirokastër ndërsa në qarkun Shkodër vërehet ulje e koeficentit të kriminalitetit.

Gjatë fjalës së tij, Kryeprokurori evidentoi se, ndër grup veprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara, evidentohet se vjedhja e pasurisë përbën numrin më të lartë me 31,5 % të numrit të përgjithshëm, por me një ulje rreth 9 % krahasuar me 2018.

Çela informoi se, veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë 23,85 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, dhe kanë ulje rreth 3 % krahasuar me 2018.

Ndërkohë që gjatë vitit 2019, vijoi ai, është ngritur dhe përfaqësuar akuza në gjykatë në emër të shtetit për 10422 procedime penale me 12189 të pandehur. Gjithashtu, janë paraqitur në gjykatë 12288 kërkesa për caktimin e masave të sigurimit personal.

Për sa i përket ekzekutimeve, gjithashtu theksoi Kryeprokurori, është urdhëruar ekzekutimi i 10973 vendimeve gjyqësore penale të formës së prerë, prej të cilëve janë ekzekutuar 7021 vendime penale dhe kanë mbetur pa u ekzekutuar 3952 vendime.

Çela theksoi se, gjatë vitit 2019 janë përfunduar 28180 çështje që përbën ulje prej 7,49 % të çështjeve  të përfunduara krahasuar me vitin 2018, prej të cilave: 36,89 % janë dërguar për gjykim, 20,66 % janë pushuar, 35,8 % janë pezulluar. Janë dërguar dhe përfaqësuar në gjykatën e shkallës së parë 10396 çështje me akuzë ndaj 12158 të pandehurve. Krahasimisht me vitin 2018 rezulton një ulje prej 11,8% e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 9,29 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë.

“Ndërsa është vendosur pushimi i 5823 çështjeve ose me ulje 12,53 % e çështjeve të pushuara krahasuar me vitin 2018 dhe është vendosur pezullimi i hetimeve për 10,088 çështje, tregues ky në ulje në krahasim me vitin 2018”, u shpreh Çela.

Gjatë raportimit të tij në Kuvend, Kryeprokurori tha se, nga të dhënat statistikore rezulton se janë dënuar 8899 të pandehur dhe për 188 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm ose krahasuar me vitin 2018, me ulje 13,1 % e numrit të pandehurve të dënuar dhe ulje 10,9 % e numrit të pandehurve të deklaruar të pafajshëm.

Sipas të dhënave statistikore urdhrat për ekzekutimin e dënimeve me burgim, gjobë e dënime plotësuese, zënë 41,66 % të totalit ndërsa urdhrat për ekzekutim të dënimeve alternative zënë 58,34 % të totalit. Ndërsa janë ekzekutuar gjithsej 2714 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake, aplikuar në lidhje me 717 procedime penale. Gjithashtu, tha ai, është mundësuar interceptimi për 5062 persona të dyshuar si të përfshirë në vepra penale që në raport me vitin 2018 janë interceptuar 894 persona më shumë.

Lidhur me efektivitetin e ndjekjes penale, Kryeprokurori tha se, “për veprat penale të korrupsionit, të dhënat statistikore evidentojnë se raporti i çështjeve të dërguara në gjyq është në përqindje më të ulët se çështjet e pushuara, përkatësisht 34,52% e çështjeve janë dërguar gjyqit dhe 65,48 % e çështjeve janë pushuar”.

Ndërkohë, që gjatë kësaj periudhe vërehet edhe ulje prej 9,88 % e numrit të procedimeve të regjistruara, në krahasim me vitin 2018, vijoi ai.

Çela vuri në dukje lidhur me krimin e organizuar, se të dhënat statistikore tregojnë se ndjekja penale ka qenë eficente, për faktin se çështjet  e dërguara në gjyq janë në përqindje shumë më të lartë se ato të pushuara, përkatësisht 86,67 % të dërguara në gjyq me 13,33 % të pushuara. “Në këtë periudhë raportuese, çështjet e regjistruara paraqesin ulje prej 2,1 % krahasuar me vitin 2018”, tha ai.

Kryeprokurori informoi se, për veprat penale të trafiqeve të paligjshme, treguesi i efiktivitetit është relativisht i ulët, përkatësisht 47,46 % dërguar gjyqit dhe 52,54 % të pushuara. Ndërkohë nga të dhënat statistikore rezulton se ka një rritje prej 3,87 % të numrit të procedimeve të regjistruara në krahasim me vitin 2018.

“Sa i përket veprave penale lidhur me narkotikët, edhe pse ka një rritje prej 2,96 % të numrit të procedimeve të regjistruara në krahasim me vitin 2018, ndjekja penale ka rezultuar efektive, për faktin se 62,45 % e çështjeve janë dërguar gjyqit dhe 37,55 % e çështjeve janë pushuar”, u shpreh ai.

Çela tha se, “efektiviteti i ndjekjes penale për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në vitet 2015-2019 evidenton tregues të ulët të raportit të çështjeve penale të dërguara në gjyq krahasuar me çështjet e pushuara, raport i cili varion nga 10% deri 20% e çështjeve të dërguara gjyqit, me 80% deri 90% e çështjeve të pushuara. Ndërkohë, në vitin 2019 kjo tendencë është shoqëruar dhe me uljen 12,27 % të procedimeve të regjistruara për veprat penale që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale, krahasuar me vitin 2018”.

Sipas tij, efektiviteti i ndjekjes penale ka qenë i lartë edhe lidhur me dhunën në familje, për faktin se 84,33% e çështjeve janë dërguar gjyqit dhe 15,67% e çështjeve janë pushuar. Në të njëjtën periudhë raportuese, çështjet e regjistruara paraqesin rritje prej 24,39 % krahasuar me vitin 2018.

Gjithashtu vijoi ai, për veprën penale të parashikuar nga neni 130/a të Kodit Penal “Dhuna në familje”, vërehet ulje prej 5,71 % e procedimeve të regjistruara në krahasim me vitin 2018, por vlerësojmë se duhet bërë më shumë në aspektin parandalues të saj, duke nisur që me edukimin e shoqërisë në moshë të hershme, ndërgjegjësimin e grupeve vulnerabël për të drejtat e tyre, si dhe lehtësimin e aksesit në institucionet ligjzbatuese dhe në drejtësi.

Duke raportuar për luftën kundër korrupsionit, Çela tha se, sipas të dhënave statistikore për vitin 2019 rezulton se, përqindjen më të lartë në procedimet e regjistruara për veprat penale të korrupsionit, e zë “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e konkretisht 33,5 % të totalit të procedimeve ndërsa është rritur 29,4 % numri i personave të dënuar për gjykim për këtë vepër, krahasuar me 2018.

“Në procedimet e dërguara për gjykim, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” është rritur 29,6 % numri i personave të dërguar për gjykim krahasuar me vitin 2018, ndërsa për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë”, është rritur 4 herë numri i personave të dërguar për gjykim krahasuar me 2018”, – tha Çela.

Ai theksoi se në luftën kundër krimit të organizuar, vitin e kaluar janë kryer hetime proaktive me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit, në kuadrin e 309 procedimeve për krim të organizuar, trafiqe të paligjshme,narkotikë, pastrim të parave dhe krime të rënda të tjera të lidhura me to, ose me rritje 23.6% përqind krahasuar me vitin 2018.

“Ky proces i ka shërbyer, si parandalimit apo ndërprerjes së mëtejshme të veprimtarisë kriminale, ashtu dhe goditjes me arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 420 personave”- tha Çela, ndërsa referuar treguesve statistikorë, për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe vepra penale të tjera të kryera në kuadrin e grupit, theksoi se, “janë regjistruar 51 procedime penale, ose krahasuar me vitin 2018, me rritje 24.4 % të numrit të procedimeve të regjistruara, rritje 116 % të numrit të procedimeve, dhe mbi 300 % të numrit të personave të dërguar për gjykim për këtë vepër”.

“Sa i përket zbatimit të ligjit nr.10192 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë” krahasuar me vitin 2018 ka një rritje 28 % të kërkesave të pranuara nga gjykata për sekuestrime pasurore”, – deklaroi Kryeprokurori.

Lidhur me dekriminalizimin, Çela tha se, gjatë vitit 2019, Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar 204 praktika/kërkesa për verifikim, ka përfunduar 163 kërkesa  për 15 subjekte të përfshirë në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione Publike” dhe  për 148 subjekte që nuk përfshihen në këtë ligj, si dhe kanë mbetur në proces verifikimi 41 subjekte/kërkesa mbartur për vitin 2020.

Kryeprokurori informoi se, prokuroria, është angazhuar në bashkëpunimin veçanërisht me Kuvendin, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme në dhënien e kontributit të saj në iniciativat ligjore për përmirësimin e drejtësisë penale, hartimin e dokumenteve strategjikë kombëtarë dhe raportimeve periodike për përmbushjen e prioriteteve e rekomandimeve të Komisionit Europian për Shqipërinë në kuadër të procesit integrues të vendit.

Sipas tij, objektivat e institucionit që ai drejton synojnë përmbushjen e misionit kushtetues dhe ligjor të prokurorisë dhe disa nga objektivat prioritare dhe masat e prokurorisë për vitin 2020, do të jenë:

– Përmirësimi i kuadrit ligjor dhe rritja e eficiencës në ndjekjen penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, financimit të terrorizmit dhe në hetimetpasurore, sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale.

– Miradministrimi i procesit, që nga faza e regjistrimit të veprës penale dhe deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes, me qëllim uljen e kohëzgjatjes së hetimeve dhe optimizimin e produktivitetit.

– Intensifikimi i bashkërendimit ndërinstitucional me të gjithë aktorët e përfshirë, për të rritur efikasitetin e sistemit të drejtësisë penale.

– Ndërmarrja e projekteve për ndërtimin e sistemeve për vlerësimin e efikasitetit të politikave penale, përmes rikonceptimit të qasjeve institucionale dhe kuadrit ligjor, me qëllim uljen e nivelit të kriminalitetit, reduktimin e kostove të hetimit dhe minimizimin e efekteve sociale.

– Nxjerrja e rregulloreve dhe udhëzimeve të përgjithshme me natyrë administrative dhe procedurale, me synim qartësimin e kuptimit dhe zbatimit në praktikë të kuadrit ligjor përkatës dhe mbikëqyrja e zbatimit tyre, tha Kryeprokurori Çela. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.