BRUKSEL – BE zgjat sanksionet tregtare me Krimenë dhe Sevastopolin deri në qershor 2021

BRUKSEL, 18 qershor /ATSH-DPA/ – Shtetet anëtare të Bashkimit Europian ranë sot dakord për të zgjatur sërish sanksionet tregtare me Krimenë dhe portin e Sevastapolit, të aneksuara nga Rusia në vitin 2014.

Nën këto kufizime, tashmë të zgjatura deri më 23 qershor 2021, anijet nga BE-ja mund të mos hyjnë në portet e Krimesë, ndërsa importet nga gadishulli ndalohen në BE.

Për më tepër, kompanitë e BE-së, që kanë qëllime biznesi në gadishull, do të përballen me ndalim të eksportit dhe të investimeve.

Gjithashtu, ato janë të ndaluara të eksportojnë teknologji në sektorin e transportit, telekomunikacionit dhe energjisë në Krime.

BE-ja ka vendosur sanksione në mënyrë progresive që nga viti 2014, në përgjigje të mbështetjes së Moskës ndaj separatistëve prorusë në Ukrainën lindore dhe aneksimin nga ana e saj e gadishullit të Krimesë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.