BRITANI E MADHE – Macron: Franca përjetësisht mirënjohëse Londrës, bastionit të fundit të shpresës në LIIB

LONDËR, 18 qershor /ATSH-AFP/- Presidenti francez, Emmanuel Macron, shprehu sot mirënjohjen e pafundme dhe të përjetshme të Francës kundrejt Londrës, ku ai bëri udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që nga kriza e koronavirusit të ri, me rastin e përkujtimit të 80-vjetorit të apelit të 18 qershorit 1940 të gjeneralit francez Charles de Gaulle.

“Londra ishte djepi i Francës së lirë, bastioni i fundit i shpresës, atëherë kur gjithçka dukej e humbur”, tha Macron, ndërsa nderoi me medaljen “Legjioni i Nderit” kryeqytetin britanik.

I mirëpritur nga princi Charles, trashëgimtari i kurorës britanike, Macron më pas shkoi në “10 Downing Street” për t’u takuar me kryeministrin britanik, Boris Johnson.

Sipas një zëdhënësi të Downing Street, dy liderët këmbëngulën në partneritetin thelbësor midis dy vendeve në luftën kundër koronavirusit të ri. Ata diskutuan, gjithashtu, edhe në lidhje me negociatat për marrëdhëniet pas Brexit BM-BE.

Ky ishte udhëtimi i parë i presidentit francez jashtë vendit që nga vizita e tij në Napoli, më 27 shkurt, për një samit italo-francez.

Delegacioni i kufizuar u përjashtua nga karantina 14-ditore e vendosur nga Londra, si masë antiCOVID-19, për mbërritjet në vend./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.