BRITANI E MADHE – Banka e Anglisë ngadalëson programin antikrizë

LONDËR, 18 qershor /ATSH-AFP/ – Banka e Anglisë ruajti sot nivelin e saj të interesit dhe mbështetjen ndaj programit të saj të riblerjes së pasurive, por më pak nga sa pritej prej disave, në këtë kontekst ekonomik jashtëzakonisht të pasigurt për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Instituti monetar vendosi të rrisë me 100 miliardë stërlina programin e tij të blerjes së bonove, i përbërë kryesisht nga obligacione qeveritare, duke i çuar në 745 miliardë stërlina (rreth 830 miliardë euro) injektimet e tij për mbështetjen e ekonomisë.

Por kjo rritje pritet të materializohet deri në fund të vitit, gjë që habiti disa vëzhgues, të cilët mendonin për një afat më të shkurtër.

Kjo politikë sasiore lehtësuese (QE) konsiston në blerjen e borxhit dhe në këtë mënyrë injektimin e likuiditetit në ekonomi, me qëllim stimulimin e aktivitetit.

Këto riblerje masive ndihmojnë, gjithashtu, për të mbajtur në nivelin më të ulët normën në të cilën qeveria hyn në borxhe për të financuar masat e saj ndihmëse./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.