Rrëzimi i 3 dekreteve të Presidentit/ Paloka: SPAK të hetojë nismat ligjore

TIRANË, 17 qershor /ATSH – I. Vata/ Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka reaguar sot në lidhje me rrëzimin nga Komisioni i Ekonomisë të tre dekreteve të Presidentit, duke kërkuar nga SPAK të hetojë kush i propozoi 3 nismat që në fillesë.

Në një deklaratë për mediet, Paloka tha se “miratimi i ligjeve speciale është një nga format që qeveria ka përdorur për të shpërndarë pasurinë e vendit vetëm tek pak njerëz të lidhur drejtpërsëdrejti me të. Të tillë janë edhe tre ligjet e fundit që Presidenti i Republikës ktheu me të drejtë për rishqyrtim, ndryshimi për ligjin e TVSH-së, që favorizon jahtet luksoze, koncesioni i paligjshëm i Porto Romanos dhe ligji antikushtetues i shërbimit të pagesave. Ligji i parë përjashton jahtet nga TVSH e karburantit. Të tre këto ligje që dëmtojnë interesin publik, që pasurojnë padrejtësisht një grusht klientësh të qeverisë, u kthyen në Kuvend nga Presidenti i Republikës”.

Paloka shton se “Parlamenti i hoqi të drejtën Presidentit të dëgjohej në komisionet ku u shqyrtuan dekretet e kthyera prej tij”.

“Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka për detyrë të hetojë këto nisma korruptive ligjore që në fillesat e tyre. Duke çuar përpara përgjegjësisë penale ata që janë përfshirë në këto afera të pista që varfërojnë më shumë shqiptarët dhe që e përqendrojnë ekonominë në duart e disa grabitësve, SPAK do të kontribuojë në një nga arritjet më të mëdha, që politika, kryeministri dhe parlamenti të mos guxojnë kurrë më të bëjnë ligje vetëm për 1 apo 2 individë të lidhur me pushtetin”, theksoi ai. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.