Policia apel qytetarëve: Shmangni grumbullimet në ambiente publike, rrezik potencial për përhapjen e COVID-19

TIRANË, 17 qershor/ATSH- A. Fortuzi/ Policia e Shtetit apelon qytetarët për respektim me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Policia e Shtetit, sipas qarqeve njofton se ka shtuar kontrollet për respektimin e masave të sigurisë, duke marrë shkasë edhe nga rritja e numrit të personave të infektuar. “Të nderuar qytetarë, duke marrë shkas nga numri në rritje i personave të infektuar nga virusi COVID-19, kërkojmë bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe kontributin tuaj për parandalimin e përhapjes së këtij infeksioni”, thekson Policia e Durrësit.

“Respektoni protokollet e sigurisë, për të mos rrezikuar shëndetin e tuaj dhe të të tjerëve, distancimin social, bëni kujdes në ceremonitë festive dhe ato mortore, duke mos u grumbulluar në mënyrë masive. Mos qëndroni grumbull në ambientet e brendshme të lokaleve, bareve, restoranteve, qendrave tregtare apo marketeve dhe mos pranoi shërbim klienti nga persona që nuk kanë vendosur maska mbrojtëse dhe dorezat”, vijon Policia.

“Shmangni grumbullimet në ambiente publike, pasi janë në kundërshtim me protokollet e sigurisë dhe janë rrezik potencial për t’u infektuar dhe përhapur COVID-19. Cilido që është i infektuar me COVID-19, të respektojë në mënyrë rigoroze vetëkarantinimin, pasi Policia disponon të gjitha listat e përditësuara me emrat e personave të infektuar dhe do vijojë ushtrimin e kontrolleve të pandërprera për monitorimin e kësaj kategorie, duke marrë masa për cilindo që shkel këtë rregull, sipas sanksioneve ligjore në fuqi”, thekson Policia. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.