Pandemia/Ambasada shqiptare: Shtyhet me 6 muaj leja e qëndrimit në Francë

TIRANË, 17 qershor /ATSH – I. Vata/ Ambasada e Shqipërisë në Francë njofton shtetasit shqiptarë me qëndrim të rregullt në Francë, të cilëve u ka skaduar dokumenti i qëndrimit mes datës 16 mars dhe 15 qershor 2020, se afati i qëndrimit shtyhet me 6 muaj.

Ambasada shton se “nga ky vendim përfitojnë vetëm ata që disponojnë një nga dokumentet si më poshtë: Vizë afatgjatë, leje qëndrimi të rregullt, leje qëndrimi të përkohshme dhe vërtetim të kërkesës për leje qëndrim (récépissés)”.

“Për rrjedhojë, kërkesa për takim në prefekturë për rinovimin e dokumenteve duhet të bëhet vetëm 2 muaj para përfundimit të vlefshmërisë të shtyrë me 6 muaj. Për shembull, nëse leja e qëndrimit ka përfunduar më 1 maj, atëherë vlefshmëria e saj zgjatet deri më 1 nëntor, dhe takimi për rinovimin e dokumentit duhet të merret jo më parë se data 1 shtator”, shprehet Ambasada.

Po ashtu ambasada shton se “për të lehtësuar kalimin e kufijve të personave që ndodhen në këtë situatë, Ministria e Brendshme franceze ka vënë në dispozicion vërtetimin (në frengjisht dhe anglisht) në lidhjen e mëposhtme për ta paraqitur pranë autoriteteve kufitare”. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.