Nis rimbursimi i gjobave për shkelje të afateve të qëndrimit jashtë vendit/ Denaj shpjegon procedurën

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Prej ditës së sotme qytetarët që u penalizuan për shkak të shkeljes së afateve të qëndrimit jashtë Republikës së Shqipërisë në situatën e krijuar prej COVID-19, mund të aplikojnë për rimbursim.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se është alokuar një fond në buxhetin e shtetit për të rimbursuar vlerën e penaliteteve që qytetarët shqiptarë kanë marrë si rezultat i tejkalimeve të afatit të qëndrimit jashtë Shqipërisë për periudhën 10 mars-1 qershor 2020.

“Çdo qytetar shqiptar është i lutur të aplikojë pranë administratës tatimore nëpërmjet Postës Shqiptare. Qytetari ka detyrimin të dorëzojë dokumentacionin i cili vërteton marrjen dhe pagesën e penalitetit, sikurse edhe numrin e llogarisë personale bankare ku do të ndodhë rimbursimi”, bëri të ditur ministrja Denaj gjatë një deklarate për shtyp.

Denaj informoi se rimbursimi do të ndodhë i plotë dhe në vleftën e lekut, i konvertuar për çdo monedhë që është marrë ky penalitet.

“Aplikimi nis prej ditës së sotme dhe brenda muajit qershor i gjithë fondi i akorduar do të disbursohet”, tha ministrja, duke ftuar të gjithë shtetasit shqiptarë të dorëzojnë dokumentacionin pranë Drejtorisë së Përgjithshme së Tatimeve nëpërmjet Postës. /a.gjonaj/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.