Miratohet projekti i ujësjellësit Mançurisht-Plasë në Maliq, përfitojnë 4870 banorë

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Rreth 4870 banorë të njësisë administrative Pojan, bashkia Maliq, do të furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm.

Këshilli Teknik i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastruturës së Mbetjeve shqyrtoi dhe miratoi sot ndërtimin e ujësjellësit Mançurisht-Plasë, për t’i hapur rrugë nisjes së investimit të këtij ujësjellësi nga qeveria qendrore.

Investimi i AKUM për këtë projekt synon 24 orë ujë të pijshëm e me cilësi për 4870 banorë, rritjen e sasisë dhe presionit të ujit, ndërtimin e rrjetit të jashtëm, linja dërgimi dhe depo 500 m3, instalimin e 100% të ujëmatësave për konsumatorët familjarë dhe bizneset, si dhe uljen e kostos për ndërrmarrjen e UK Maliq.

Banorët përfitues janë ata të fshatrave Burimas, Kreshpanj, Rrëmbec, Rov e Orman në nëjsinë administrative Pojan, të cilët prej vitesh përballen me orare, prurje dhe presion të reduktuar.

Investimet e qeverisë qendrore në infrastrukturën e ujësjellësve synojnë modernizimin, për të garantuar parametra e standarte bashkëkohore duke përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve, si dhe për të ndikuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.