Masat antiCovid/ Hapja e transportit publik vendoset nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, jo nga kompanitë

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dekaroi sot se në kushtet e situatës së emergjencës shëndetësore në vend, hapja e transportit publik nuk është në tagrin as të MIE dhe aq më pak të kompanive të transportit, por vetëm të Komitetit Teknik të Ekspertëve, pasi Qeveria shqiptare vlerëson se jeta dhe shëndeti i qytetarëve vlen më shumë se çdo interes tjetër.

Përmes një deklarate për shtyp, MIE bën të ditur se Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur shtyrjen me një javë të hapjes së transportit publik, si një shërbim me risk të lartë në këtë situatë epidemiologjike, nisur nga shtimi i rasteve të të prekurve me COVID-19.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thotë se është njohur me deklaratat e bëra nga përfaqësuesit e disa kompanive të transportit publik.

“Një javë më parë, kur Qeveria vendosi rinisjen e transportit publik, këta përfaqësues deklaruan se nuk do të nisnin punën në shenjë proteste, ndërsa sot ata kanë dalë me një kërkesë tjetër, për hapjen e transportit dhe nisjen e punës”, sqaroi MIE.

Sipas MIE-s, në funksion të mbështetjes së sektorit të transportit publik, ashtu sikurse është vepruar edhe me sektorët e tjerë të prekur nga masat parandaluese të COVID-19, Qeveria Shqiptare ka marrë tashmë vendime mjaft të rëndësishme si njohja si shpenzim i zbritshëm të 100% të konsumit të naftës, nga 43% që ishte deri më sot, me një efekt prej rreth 7 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit dhe heqja e të gjitha taksave dhe tarifave vendore për subjektet e transportit publik, deri në 31 dhjetor 2020.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thotë se vazhdon përpjekjet e saj për të gjetur forma dhe mundësi për mbështetjen e sektorit të transportit publik dhe çdo nismë e re do të bëhet publike në momentin më të parë të mundshëm.

Nga ana tjetër MIE shpreh gatishmërinë e plotë për të mbështetur nisjen e veprimtarisë së transportit publik, menjëherë sapo të gjykohet e mundur nga ana e Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe iu bën thirrje të distancohen nga disa individë në radhët e tyre, të cilët ditët e fundit kanë ushtruar dhunë dhe presion deri edhe ndaj përfaqësuesve të shoqatave të transportit publik.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është duke përgatitur një reformë të thellë strukturore në sektorin e Transportit Publik, e cila synon nga njëra anë të formalizojë plotësisht këtë sektor dhe nga ana tjetër të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët. Kjo reformë do të prezantohet në fund të muajit shtator të këtij viti dhe do të nisë nga implementimi në janar të vitit 2021”, bëhet e ditur në deklaratën e MIE./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.