“Kuvendi sovran në zgjedhjen e KQZ”/ Gjiknuri-opozitës: Kjo çështje nuk diskutohet, sillni propozim të ri

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri i është përgjigjur opozitës për formulën e re të KQZ duke deklaruar se “Partia Socialiste e gjykon një propozim jashtë marrëveshjes dhe traditës parlamentare për rolin e Kuvendit në zgjedhjen e KQZ-së”.

Gjiknuri shprehet se propozimi nuk mund të diskutohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Politik.

“PS është shprehur kundër dhe nuk mund të diskutohen më në mbledhjen e radhës. Për këtë çështje do të diskutojmë, pasi të na sillni paraprakisht një propozim tjetër që respekton faktin që Kuvendi është sovran në zgjedhjen e organit të KQZ-së duke siguruar edhe konsultimet dhe dakordësimet në lidhje me emrat që plotësojnë kriteret dhe kanë miratimin tuaj”, nënvizoi Gjiknuri.

Sipas tij, vetëm nëse opozita sjell propozim të ri bazuar në këto parime, mund të vazhdojë ky diskutim.

“Për pikat e tjera ju lutem specifikoni cilat janë ato, përfshirë propozimet alternative që keni duke i dërguar paraprakisht me qëllim që t’i japim zgjidhje në mbledhjen e radhës dhe mos humbim kohë me debate të kota. Pra, vetëm pas këtij qartësimi mund të konfirmoj mbledhjen e radhës në çdo kohë”, – tha Gjiknuri./k.s//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.