FRANKFURT – BQE: Rënie 7% e të ardhurave në zonën euro

FRANKFURT, 17 qershor /ATSH-AFP/ – Punonjësit e vendeve të mëdha të zonës euro kanë parë që të ardhurat e tyre të ulen 7% gjatë periudhës së kufizimit lidhur me koronavirusin, theksoi sot Banka Qendrore Europiane.

Dhe për më tepër, kjo rënie e pagave neto të familjeve, që zakonisht llogariten për dy të tretat e të ardhurave të tyre të disponueshme, do të kishte qenë shumë më e madhe pa përdorimin masiv kudo të punësimit të pjesshëm.

“Pa kompensimin e paguar, rënia e të ardhurave të punonjësve do të kishte arritur në 22%”, theksoi BQE në një artikull në buletinin e saj të fundit ekonomik.

Këto vlerësime bazohen në studimin e skemave të pjesshme të papunësisë, të aplikuara për rreth 36 milionë punonjës në pesë ekonomitë më të mëdha të zonës euro, 10 milionë janë prekur në Gjermani, 3,9 milionë në Spanjë, 12 milionë në Francë, 8,5 milionë në Itali dhe 1,7 milionë në Holandë./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.