Tabaku: Biznesi i vogël detyrohet të paguajë taksa e tarifa vetëm për PPP

TIRANË, 16 qershor /ATSH – I. Vata/ Ish-deputetja e PD-së Jorida Tabaku tha sot se taksat e biznesit janë rritur dhe se qeveria heq taksat për buxhetin dhe rrit taksat që i shkojnë oligarkëve dhe u bëjnë dëm bizneseve dhe qytetarëve.

Sipas saj, “që prej vitit 2013, Rama i premton shqiptarëve më pak taksa dhe më shumë punë. Ai u premton bizneseve të vogla se do t’u ulë taksat, por ndërkohë i detyron të paguajnë taksa e tarifa ekstra vetëm për PPP”.

“Tarifa e inceneratorëve që paguan çdo qytetar dhe çdo sipërmarrës është prova e radhës”, tha Tabaku duke shtuar se “për biznesin e madh tarifa Zoto është rritur mesatarisht me 15%, po aq është rritur dhe për biznesin e vogël nga 2-8 mln lekë ndërkohë që për mikrobizneset (0-2 mln lekë) kjo tarifë është rritur me 64%”, tha ajo.

Tabaku solli si shembull tre biznese të ndryshme duke theksuar se “i pari paguan në 2020 10% më shumë taksa se në 2019, i dyti (një biznes i vogël) paguan një taksë 24% më të shtrenjtë (thuajse 4 mijë lekë më shumë) se sa vitin e shkuar, ndërkohë që biznesi i tretë paguan një tarifë pastrimi 13% më të lartë se sa vjet”. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.