Rritja e rasteve me COVID-19/ Manastirliu: Ekspertët e paralajmëruan për fazën e hapjes, rreziku më i madh ulja e vigjilencës

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se pavarësisht rritjes së rasteve që konfirmohen me COVID-19, situata nuk ka dalë jashtë kontrollit.

Në një intervistë në media, Manastirliu u shpreh se është një situatë që u paralajmërua edhe nga Komiteti i Ekspertëve tanë, por edhe nga ekspertë në institucione prestigjoze ndërkombëtare, të cilët vlerësuan se kur rihapemi do të kishte më tepër raste.

“Ka një ekspozim më të rritur kur rihapesh në të gjitha aktivitetet, përfshirë edhe sektorin shëndetësor”, u shpreh ministrja.

Ne, tha ministrja, e kemi hapur sistemin shëndetësor, vendosëm të ofronim të gjitha shërbimet. “Ekspozimi është më i madh në strukturat shëndetësore, përkundrejt virusit, sepse aty vijnë të sëmurë kronikë, urgjenca dhe ballafaqimi është i lartë me ata që e kanë marrë virusin”, deklaroi Manastirliu.

Lidhur me pretendimin se spitali është kthyer në vatër infeksioni, ministrja theksoi se nuk mund të flasim për vatra infeksioni, por duhet të flasim për hetime që janë kryer në kohë për të parandaluar që ky zinxhir infeksioni të na shkaktonte mbylljen e spitaleve.

Atëherë, tha ajo, situata do të ishte serioze.

Sipas ministres, mbrojtja e personelit dhe zbatimi i protokolleve nga ana e personelit duhet të jetë sipas parametrave.

Ministrja bëri të ditur se “kemi garantuar furnizmin me materiale mbrojtëse personale të gjithë personelin shëndetësor dhe se për asnjë moment nuk ka ceduar as furnizimi dhe as stoku”.

“Ulja e vigjilencës do të ishte risku më i madh për qarkullimin e virusit”, deklaroi Manastirliu.

Sipas saj, sjellja individuale ka shumë të bëjë në luftën kundër COVID-19.

“Lufta nuk ka përfunduar dhe na duhet të vijojmë këtë luftë nëpërmjet strategjisë sonë duke dëgjuar ekspertët” tha Manastirliu.

Ekspertët u shpreh Manastirliu, apelojnë për zbatimin e rregullave që kanë nxjerrë autoritetet shëndetësore, për zbatimin e protokolleve në të gjitha aktivitetet me risk të lartë e të mesëm. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.