“Për tatimin mbi vlerën e shtuar”/ Komisioni i Ekonomisë rrëzon dekretin e Presidentit për kthim në Kuvend

TIRANË, 16 qershor/ATSH- A. Fortuzi/ Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat rrëzoi në mbledhjen e sotme dekretin e Presidentit Ilir Meta, i cili riktheu për rishqyrtim ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”.

Të pranishëm në komision për diskutimin lidhur me dekretin e Presidentit ishte ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi dhe Vasilika Vjero, zëvendësministre për Financat dhe Ekonominë.

Kryetarja e komisionit, Milva Ekonomi përmblodhi argumentimin e paraqitur nga Presidenti: “Duke zgjeruar përjashtimet nga zbatmi i regjimit fiskal, rrezikon qëndrueshmërinë e vetë ligjit, nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në RSH”” dhe krijon një precedent për një efekt të mëtejshëm zinxhir në shtimin e kërkesave të paargumentuara për aplikimin e këtij rregulli përjashtues. Zgjerimi i rrethit të përjashtimeve të kësaj natyre ndikon potencialisht në uljen e të ardhurave tatimore në tatimin për vlerën e shtuar, krijon një diferencim në trajtimin e mallrave të tjera të konsideruara luksi apo kënaqësie, që jo vetëm i nënshtrohen TVSH por edhe akcizës, krijon idenë e një përjashtimi me natyrë klienteliste dhe preferenciale, sepse përjashton jahtet dhe mjetet e tjera ujore që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi, dhe është një veprim i cili zvogëlon më tej bazën tatimor të TVSH”.

Relatori Xhelilaj, theksoi se ligji e ka parashikuar edhe hapësirën për ndërhyrje të tilla e se kjo ndërhyrje përjashtuese vjen në zbatim të plotë të vetë ligjit.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, vuri theksin te krijimi i mundësisë së një ekonomie të re, asaj detare, në vazhdën e disa vendimeve të tjera.

Së bashku me ligjin për turizmin detar, Klosi u shpreh se këto ndërhyrje hapin një politikë të re, e që brenda kësaj vere siguron një numër të konsiderueshëm jahtesh që do të marrin flamurin tonë, e që do e bëjë shumë të pëlqyeshëm vendin tonë për këtë industri. Kjo, për ministrin Klosi, siguron regjistër të plotë të flotës shqiptare dhe një tjetër qasje në raport me detin.

“Shumë shpejt do të sjellim propozime të tjera për ta ndryshuar filozofinë e raportit me detin e për ta shndërruar Shqipërinë në një atraksion turistik”, – theksoi ministri Klosi.

Ai, së bashku me zv/ministren Vjero, iu bashkua qëndrimit të relatorit Xhelilaj, se nisma vjen në përputhje të plotë me ligjin. Pas përfundimit të pyetjeve dhe diskutimeve nga deputetët e pranishëm komisioni për Ekonominë dhe Financat votoi rrëzimin e dekretit. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.