FRANCË – Le Drian: Parisi nuk e përjashton një “no deal” në bisedimet BE-BM

PARIS, 16 qershor /ATSH-AFP/- Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, nuk e përjashtoi sot një përfundim “no deal” midis BE-së dhe Britanisë së Madhe në kushtet e marrëdhënies së tyre pas Brexit.

“Ne nuk mund të përjashtojmë perspektivën e mosarritjes së një marrëveshjeje, por ne duam ta shmangim atë”, tha ai, në një intervistë me të përditshmen franceze “La Croix”.

“Britanikët po luajnë me afatin, por kjo nuk është gjithmonë mënyra për të arritur një marrëveshje të mirë”, shtoi Le Drian.

Duke lënë Bashkimin Europian më 31 janar, Britania e Madhe tani po negocion me Brukselin për të përcaktuar marrëdhëniet e tyre tregtare në fund të periudhës së tranzicionit, që përfundon në fund të vitit, por diskutimet deri më tani kanë mbetur në një rrugë pa krye./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.