“Ende shumë udhë për të bërë në sfidën ndaj COVID-19”, Kalo: Zbatoni këshillat e profesionistëve

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Mjeku i njohur infeksionist, Tritan Kalo ka ripërsëritur për qytetarët apelin për kujdes dhe zbatim të masave që frenojnë përhapjen e COVID-19.

Kalo shprehet se falë zbatimit të rregullave të përcaktuara nuk është prekur prej COVID-19, edhe pse është në kontakt të vazhdueshëm me të prekurit nga ky infeksion.

“Nuk është kurrë vonë për të bërë gjëra të dobishme. Zbatova këshillat e udhëzimet e profesionistëve, e fatmirësisht edhe pse në grykën e zjarrit të COVID-19 gëzoj shëndet të plotë e nuk jam prekur prej tij” u shpreh ai.

Kalo thotë se është e rëndësishme të zbatohen vetëm këshillat e profesionistëve dhe jo të gjithologëve.

“Ju lutem që edhe ju të gjithë të zbatoni në të mirën tuaj, të fëmijëve, të prindërve, të të afërmve tuaj, por dhe të atyre që gjallërojnë përreth, vetëm e vetëm ato çka dëgjoni prej profesionistëve qofshin ata infeksionistë, epidemiologë, virologë, imunologë, reanimatorë, mjek të familjes, mjek të shëndetit publik. Larg veshëve dhe veprimeve tuaja, ato çka dëgjoni prej gjithollogëve të çdo fushe, përfshirë jo rrallë edhe ata/ato të mjekësisë. Nuk ka asgjë të pamundshme në këtë botë ku ne jetojmë, kur bëhen bashkë mirëbesimi, mirëkuptimi dhe bashkëveprimi mes jush e nesh, ruajtësve dhe përkujdesësve të shëndetit tuaj”, shprehet Kalo.

Jeta e gjithkujt prej jush, vuri në dukje ai, është e paçmimtë.

“Shqipëria jonë e ka të nevojshme në çdo kohë kontributin e secilit prej jush. Kemi ende shumë udhë për të bërë në sfidën ndaj COVID-19, ndaj ju lutem si miku, vëllai e mjeku i juaj, që të përkujdeseni edhe më shumë e për çdo çast për veten tuaj. Ka dritë jeshile në fund të tunelit, por udha për të mbërritur aty është ende e gjatë”, tha Kalo.

/a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.