Cakaj në Sarajevë, takon Turković: Njohja e Kosovës, vendim i rëndësishëm për Ballkanin

TIRANË, 16 qershor /ATSH – I. Vata/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në Sarajevë, zhvilloi një takim me nënkryetaren e Këshillit të Ministrave dhe ministren e Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Bisera Turković.

Në takim, fokusi ishte thellimi i marrëdhënieve dypalëshe veçanërisht nëpërmjet rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe nxitjes së turizmit.

“Vlerësuam bashkërisht rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në fushën e ndërlidhjes, transportit, digjitalizimit dhe domosdoshmërinë e përpjekjeve të shtuara drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, – u shpreh Cakaj.

Për më tepër, gjatë takimit theks i veçantë u vendos tek njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Bosnja dhe Hercegovina, si një vendim jo vetëm historikisht i drejtë, por edhe skajshmërisht i rëndësishëm për zhvillimin e demokracisë e forcimin e prosperitetit të Ballkanit Perëndimor.

“Ndamë pikëpamjen e njëjtë lidhur me bashkëpunimin e mirë në një varg organizatash ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në dhe UNESCO-n. Gjithashtu, vlen të përmendet mbështetja e Bosnjës dhe Hercegovinës për synimin e Shqipërisë për të marrë një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023”, përfundoi Cakaj. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.