Strategjia Kombëtare për Prokurimin Publik 2020-2023, nis faza e konsultimeve

TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Agjencia e Prokurimit Publik ka nxjerrë për konsultim strategjinë 4-vjeçare që synon përmirësimin e sistemit të prokurimit publik në Shqipëri, dhe garantimin e mirëpërdorimit të fondeve publike.

“Objektivi kryesor është hartimi i një ligji të ri për prokurimin publik, i cili të jetë sa më i qartë dhe i kuptueshëm duke u bazuar në parime si transparenca, mosdiskriminimi, trajtimi i barabartë, konkurrenca e lirë dhe vlera për para, i harmonizuar me direktivat përkatëse të BE-s, si dhe të garantojë një kuadër rregullues efiçent për prokurimin e kontratave, të cilat nuk mbulohen plotësisht nga rregullat e detajuara të direktivave të BE-së”, thuhet në strategjinë e publikuar nga APP.

Aktualisht, tregu i prokurimit publik në Shqipëri zë në total 7,8% të PBB, gjë që e kthen atë në një faktor të rëndësishëm për rritjen ekonomike të vendit.

Për këtë arsye, përdorimi eficient i fondeve publike merr një rëndësi të veçantë duke qenë se shërben për të garantuar ofrimin e shërbimeve të duhura për qytetarët.

“Ngritja e një sistemi prokurimi publik mirëfunksional kërkon përcaktimin e prioriteteve dhe objektivave jo vetëm në drejtim të përmirësimit të prokurimeve publike në kuptimin klasik të tyre, por edhe të prokurimeve të zhvilluara në sektorë të caktuar si p.sh: transporti, energjia, telekomunikacioni, shërbimet postare, uji etj.”, thuhet në strategjinë e nxjerrë për konsultim nga APP.

Gjithashtu, një rëndësi shumë të madhe në këtë drejtim merr edhe përmirësimi i sistemit të koncesioneve dhe partneritetit publik, si edhe ngritja dhe rregullimi i një sistemi të veçantë për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Qëllimi i një prokurimi efektiv është që të sigurojë mallra dhe shërbime me çmime më të ulëta dhe cilësi më të mirë. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.