FOTO/ Korçë, unaza bujqësore në Kamenicë rrit aksesin e fermerëve në tregje dhe agroturizëm

TIRANË, 15 qershor /ATSH/ Asfaltimi i rrugës së brendshme të fshatit Kamenicë në Korçë e cila shërben si unazë dhe lidhet me Tumën e Kamenicës i vjen në ndihmë jo vetëm banorëve të zonës për nxjerrjen më shpejt në treg të prodhimeve bujqësore, por edhe vizitorëve që frekuentojnë bujtinat agroturistike apo turistëve kulturorë që duan të vizitojnë këtë sit mjaft të rëndësishëm arkeologjik të vendit tonë.

Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo inspektoi nga afër punimet në rrugën rurale të  kësaj zone dhe u shpreh se “brenda pak ditëve përfundon plotësisht asfaltimi i këtij aksi që kishte ndër vite i parregulluar”.

“Bashkia Korçë tashmë po investon projekte të plota në rehabilitimin me standardet më të mira të infrastrukturës rrugore rurale, për të garantuar kështu jo vetëm një premtim të mbajtur ndaj banorëve të këtyre zonave, por gjithashtu dhe për të rritur aksesin e fermerëve në tregje dhe uljen e kostove të prodhimit”, – tha Filo.

Krahas ndërtimit të ujësjellësit e projekteve të tjera të rëndësishme të realizuara në këtë fshat, bashkia e Korçës po ndërhyn për rikonstruksionin e rrugës duke përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën në shërbim edhe të vizitorëve që frekuentojnë bujtinat agroturistike në Kamenicë.

Kamenica është një ndër fshatrat më të hershëm të komunës Mollaj dhe me një shtrirje gjeografike të madhe. Zona kodrinoro-malore e këtij fshati është mjaft e frekuentuar nga vizitorët e ndryshëm vendas dhe të huaj që janë të apasionuar pas bukurive natyrore e prodhimeve bio të zonës, ku dominon bulmeti, si dhe gjetjeve arkeologjike të kësaj zone. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.