COVID-19/ Policia intensifikon masat: Vetëkarantinim i detyrueshëm për personat e infektuar

TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Në vijim të punës së bërë nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit që prej fillimit të pandemisë, si dhe nisur nga shtimi i rasteve të infektimit me COVID-19 pas heqjes së masave kufizuese, Policia e Shtetit i ka intensifikuar masat, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit.

Në një njoftim për mediet, Policia e Shtetit bën të ditur se “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka dhënë porosi të gjitha shërbimeve policore në të gjithë vendin që të intensifikojnë masat për distancimin social, përdorimin e masave mbrojtëse dhe vetëkarantinimin e të infektuarve”.

Policia e Shtetit disponon të gjitha listat e përditësuara me emrat e të infektuarve me COVID-19, të cilat iu vihen në dispozicion të gjitha Drejtorive Vendore të Policisë.

“Shërbimet e Policisë, në bazë të listave përkatëse, kanë telefonuar dhe kanë kontaktuar me secilin prej këtyre personave dhe u kanë kërkuar në mënyrë të prerë të mos dalin nga banesa, duke iu bërë me dije sanksionet ligjore të parashikuara në Aktin Normativ, në rast të shkeljes së vetëkarantinimit të detyrueshëm”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, krahas kontrollit të pandërprerë të personave të vetëkarantinuar, strukturat e Policisë vijojnë punën në terren, në bashkëpunim me Taskforcën, për monitorimin dhe kontrollin e çdo subjekti, institucioni apo njësie tregtare, për zbatimin e protokolleve të sigurisë të miratuara nga Instituti i Shëndetit Publik, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Njëkohësisht, ka vijuar kontrolli i pandërprerë për ndalimin e tentativave për transport publik, në shkelje të Aktit Normativ.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për të respektuar me rigorozitet vetëkarantinimin, distancimin social, përdorimin e maskave dhe dorezave në ambiente publike apo njësi tregtare, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.