Agjencia Telegrafike Shqiptare

BRUKSEL – BE interesohet për zhvillimin e hidrogjenit

BRUKSEL, 15 qershor /ATSH-AFP/- Disa vende të Bashkimit Europian i kërkuan sot Komisionit Europian që t’u prezantojë një udhërrëfyes për zhvillimin e hidrogjenit, një burim energjie me interes për Bllokun për kalimin e tij në një shoqëri me karbon të ulët.

“Për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050, ne duhet ta çkarbonizojmë sistemin e energjisë. Hidrogjeni i pastër është një transportues thelbësor i energjisë për neutralitetin e klimës”, tha ministri holandez i Ekonomisë dhe Politikës së Klimës, Eric Wiebes, në një njoftim për shtyp.

Sipas një deklaratë të botuar sot, para videokonferencës së ministrave të BE-së për Energjinë, Holanda, Austria, Gjermania, Franca, Belgjika, Luksemburgu, si edhe Zvicra, kanë shfaqur mbështetjen e tyre për këtë energji, e cila konsiderohet si miqësore ndaj mjedisit në kushte të caktuara prodhimi.

Kjo deklaratë vijon më pak se një javë pas njoftimit të Gjermanisë për një investim masiv në këtë teknologji: 9 miliardë euro para publike, me ambicien për t’u bërë furnizuesja dhe prodhuesja numër një e hidrogjenit në mbarë botën.

Gjatë takimit të tyre të sotëm, ministrat ranë dakord që teknologjitë, si hidrogjeni, nga burime të rinovueshme dhe rrjete inteligjente, janë me rëndësi të madhe në krijimin e vendeve të punës në Europë, për konkurrencën dhe çkarbonizimin./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version