“Brenda javës, edhe 3 çartera të tjerë me turistë”/ Klosi: Presim vizitorë edhe nga Ukraina e Polonia

TIRANË, 15 qershor /ATSH/ Ndërsa ka mbërritur çarteri i parë me turistë pas hapjes së kufijve, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi siguroi në një intervistë televizive se janë respektuar të gjitha rregullat shëndetësore, duke nisur me kontrolle të shtuara në aeroport, dhe zbatimin e masave higjieno-sanitare në hotele.

“Nuk ka arsye për kthim prapa në masat izoluese. Numrat e lartë të infektimeve tregojnë që ka shumë arsye për t’u bërë thirrje qytetarëve për kujdes ndaj jetës së tyre”, u shpreh Klosi.

“Ne ishim të parët që vendosëm të hapeshim duke hapur fillimisht kufirin me Kosovën, Malin e Zi. Qëndrimi për t’u hapur nuk ishte thjesht se ne donim por për faktin se shëndetësia është e aftë për të përballuar një shtim të numrave të të infektuarve. Nëse do të ketë shtim dhe mosdakordësi të opionionit publik që mos të respektohen protokollet shëndetësore, sigurisht që do të ketë vendime të tjera”, tha ministri Klosi.

Klosi u shpreh se gjatë kësaj jave do të vijnë dhe 3 çartera të tjerë në Shqipëri, ndërkohë që duke filluar nga java tjetër, vendi do të presë turistë edhe nga Ukraina e Polonia.

“Me kompaninë që sollën turistët si dhe kompaninë e cila ofroi këtë shërbim, është dakordësuar që të respektohen rregulla strikte të kontrollit të pasagjerëve. Nesër vjen çarteri tjetër, brenda javës do të vijnë 3 të tillë. Më pas javës tjetër do të vijnë çartera nga Ukraina dhe Polonia. Nuk ka të bëjë me numrat, janë shumë të pakta krahasuar me vjet dhe kjo vjen si pasojë e mos hapjes së fluturimeve nga vendet e tjera të Europës”, theksoi Klosi.

Sipas tij, nëse do të vijojmë me këtë ritëm të hapjes së turizmit, do të arrijmë një nivel të konsiderueshëm të turizmit që mund të zgjatet edhe në muajt shtator dhe tetor në mënyrë që të mos kemi shumë humbje. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.