Parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike/ Vijon kontrolli i territorit në Fier

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Policia e Fierit po vijon kontrollin masiv të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, kanë bërë të mundur që në fshatin Ndermënas, të parandalojnë dhe të godasin një tjetër tentativë të kultivimit të bimëve narkotike.

Si rezultat i kontrollit, në oborrin e banesës së shtetasit R. S, u gjetën dhe u sekuestruan disa fidanë të dyshuar narkotikë kanabis sativa.

Në vijim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. S., 53 vjeç, dhe u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi F. S., 21 vjeç, banues në Ndermënas, Fier.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.