TIRANË, 13 qershor /ATSH – I. Vata/- Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha sot se me rihapjen e ekonomisë të dhënat e punësimit janë pozitive.
“Tregu i punës ka punësuar mbi 48 mijë qytetarë në tërësi me një efekt neto pozitiv me +18 mijë të punësuar”, tha ajo.
Denaj tha se punësimi dhe rikthimi i punonjësve shfaqet pozitiv. Vetëm në muajin maj janë larguar nga puna 30,108 persona. Të punësuar 48,115 efekti neto është +18,007.
Po ashtu, Denaj tha se “zbehja e efektit të COVID-19 në tregun e punës po ndodh. 109 mijë individë janë punësuar ose rikthyer në punë në periudhën mars – maj”.
“Të larguarit dhe të punësuarit për efekt të COVID-19 janë, në muajin mars të larguar 59,674, të punësuar 30,487, efektiv neto -29,187. Në muajin prill të larguar 46,364, të punësuar 30,491, efektiv neto -15,873. Në muajin maj të larguar 30,108, të punësuar 48,115 efektiv neto +18,007. Total të larguar 136,146 të punësuar 109,093 efekti neto -27,053”, tha Denaj.
Gjithashtu ministrja Denaj bëri të ditur se në 2020, rritja e pagës mesatare në 3 mujorin e parë të vitit vijon pozitive dhe e qëndrueshme.
Sipas shifrave të publikuara nga ministrja paga mesatare gjatë tremujorit të parë të 2020 është 53,232 lekë. Pra ka një rritje po të krahasohet me pagën e tremujorit të parë të 2019 që ishte 51, 532 lekë. Kjo rritje është akoma më e madhe krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2018 ku ishte 49,145 lekë. /a.a/