Basha takim me operatorët turistikë në Vlorë: Turizmi për potencialin që ka vendi duhet trajtuar me prioritet

TIRANË, 13 qershor /ATSH – I. Vata/- “Turizmi për potencialin që ka vendi duhet trajtuar me prioritet”, tha sot kryetari i PD-së Lulzim Basha në takim e zhvilluar me operatorët turistikë në Vlorë, ndërsa premtoj uljen e taksave.

Basha u shpreh se Vlora është një nga qytetet me potencialin më të madh turistik të vendit, por sot është pa pushues e pa mbështetje.

“Qindra të punësuar direkt dhe indirekt janë në sektorin e turizmit. Shumë prej tyre e kanë humbur vendin e punës e të tjerë rrezikohen nëse situata vazhdon të ecë me këto ritme. Operatorët turistikë të qytetit të Vlorës më treguan shqetësimet e tyre. Pushues nuk ka, taksat e tatimet duhet t’i paguajnë, punonjësit gjithashtu”, u shpreh Basha.

Ai tha se sektori i turizmit punëson 93 000 persona dhe në zinxhir, pothuajse, 200 000 të tjerë. Qindra mijëra familje jetojnë me të ardhurat nga turizmi.

“Turizmi për potencialin që ka vendi duhet trajtuar me prioritet, duke u bazuar në praktikat më të mira botërore. Ne jemi duke hartuar një plan i cili do të konsultohet më pas me operatorët turistikë për të arritur në një produkt që ta ndihmojë këtë sektor, zhvillojë dhe njëkohësisht të rrisë punësimin me paga dinjitoze”, tha ai.

Po ashtu Basha tha se taksat e larta që sot shkojnë në xhepat e oligarkëve do të reduktohen.

“Ne do të çlirojmë qytetarët dhe biznesin në përgjithësi nga taksat e larta, duke vendosur taksën e sheshtë 9% që t’iu japim mundësi për të rritur punësimin dhe konsumin. Ne nuk premtojmë të pamundurën, por paketa ndihme e lehtësi fiskale krejtësisht të realizueshme siç bëjnë dhe vendet tona fqinje që të vendosim barazinë në treg dhe të mundësojmë zhvillim ekonomik për vendin”, tha ai. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.